Qeveria në terr

Institucionet kryesore të shtetit kanë rënë në errësirë për disa orë gjatë ditës së djeshme. Një defekt i rëndë elektrik ka lënë pa energji elektrike qendrën e kryeqytetit dhe një pjesë të mirë të ministrive, Kryeministrinë dhe kryesinë e Kuvendit. Avaria e rëndë ka ndodhur rreth orës 10 të paradites së të enjtes dhe deri në orët e darkës së vonë nuk ishte riparuar. Të pyetur për këtë defekt të rëndë, zyrtarë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sqaruan se avaria ka ndodhur në zonën e Kopshtit Botanik.
Avaria
Fillimisht, sipas zyrtarëve të OSSH-së, defekti ka ndodhur në nënstacionin e Pallatit të Kongreseve, por nuk dihet ende se cili ka qenë shkaku. Specialistët thanë se dyshohet për dëmtim të dy linjave të energjisë elektrike që janë të shtrira nëntokë, çka bën shumë të vështirë gjetjen e vendit ku ka ndodhur defekti. Që prej orës 10, kur dhe ndodhi avaria, disa grupe të remonteve janë vënë në alarm, duke pasur si qëllim riparimin sa më parë të defektit. Sipas hartës së kufizimeve që ndodhën për shkak të kësaj avarie, Presidenca, Kryeministria, pothuajse të gjitha ministritë dhe objektet e ndodhura në zonën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në zonën e ish-Bllokut kanë vuajtur mungesën e energjisë elektrike. Por edhe zonat e tjera, si “Komuna e Parisit”, Selita, “Tirana e Re” dhe “21 Dhjetori” u prekën nga avaria e ndodhur dje. Shkaku i kufizimit të tejzgjatur të energjisë elektrike gjatë ditës së djeshme ka ardhur si pasojë e avarisë së ndodhur në nënstacionin e Pallatit të Kongreseve, por prej kohësh në të gjithë vendin po aplikohen kufizime të energjisë, me justifikimin e remonteve të linjave. Si pasojë e këtyre remonteve të linjave të energjisë që janë planifikuar të kryhen gjatë verës, në shumë zona të kryeqytetit mungon energjia për tri deri në katër orë në ditë. Shumë prej këtyre remonteve kryhen pa u njoftuar më parë, dhe kjo ka ngjallur pakënaqësinë e konsumatorëve, sidomos të atyre që kanë në zotërim një biznes. Më shumë problematike situata është për minimarketet, pronarët e të cilëve shprehen të shqetësuar, pasi shumë prej ushqimeve që ata tregtojnë nuk mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë në temperatura të larta. Për të sqaruar gjendjen e krijuar, OSSH-ja ka njoftuar se në kuadër të remonteve të planifikuara të linjave po kryhen tri kategori remontesh, të cilat janë në koordinim me remontet e linjave në rajon. Sipas OSSH-së, ka qenë kjo arsyeja pse në të gjithë vendin ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Kështu po kryhet remont në linjat 220 KV dhe 110 KV të tensionit të lartë që kryhen nga OST, remontet e nënstacioneve që administrohen nga Njësia e Tensionit të Lartë të OSSH sh.a., dhe remontet e linjave të tensionit të mesëm dhe në kabina që administrohen po nga OSSH sh.a. “Programi i remonteve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes koordinohet me remontet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, me qëllim që të mos ketë ndërprerje të dyfishta në përputhje me programin e miratuar në fillim të vitit”, ka bërë të ditur OSSH-ja pak kohë më parë. Pas përmirësimit të situatës hidrike, KESH-i nuk ka aplikuar më grafik kufizimesh të energjisë elektrike. Por pavarësisht kësaj, përsëri mungesa e energjisë është e pranishme, dhe kjo si pasojë e punimeve të shumta që kryhen në nënstacione apo në linjat e tensionit të lartë.