Projekti i LSI-së

Ideja e polit të tretë nuk ka qenë thjesht një nga ato reflektime të momentit që ndalojnë vetëm për pak në politikën shqiptare. “Korrieri” mësoi dje se për këtë ide, Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasur një angazhim serioz, madje edhe një draftmarrëveshje. Burime nga e majta shqiptare konfirmuan se iniciatoria ka qenë pikërisht LSI-ja, por që prej kohësh nuk po flet më e nuk ka hedhur asnjë hap konkret,ndaj vërejtjeve dhe kërkesave që i janë bërë për t’i dhënë jetë këtij opsioni. Draftmarrëveshja siç e quajnë ata, u mor me seriozitet pak kohë më parë, por tani duket se po zë pluhur në ndonjë sirtar të mbyllur mirë e mirë me çelës. Për idenë e polit të tretë u punua jo vetëm në planin e diskutimeve parimore, por edhe konkretisht. Sipas të njëjtave burime, ai që ka hartuar draftmarrëveshjen ka qenë Edmond Haxhinasto, kryetari i KDK-së në LSI. Më pas, ky projekt i është dorëzuar edhe Partisë Demokracia Sociale, por edhe Partisë Aleanca Demokratike. Për idenë e polit të tretë është folur shpesh, por për herë të parë, drejtues të lartë të partive të majta konfirmuan se sikundër PSD-ja i paraqiti një projekt PS-së për “bashkim”, edhe LSI-ja ka përgatitur një draftmarrëveshje, që ua ka dorëzuar më pas dy partive të tjera. Poli i tretë do të ishte pikërisht zgjerimi i koalicionit “E majta për integrim”. Kundërshtia e dy partive nisi që me emrin e koalicionit, që të paktën mediatikisht nuk është paralelizuar me atë që shpesh është quajtur “poli i tretë”. Siç thonë burimet, pikërisht koalicioni “E majta për integrim”, i shumë përfolur për të shtuar radhët, por që ende nuk ka bërë pjesë të sajën ndonjë parti veç LSI-së, ka qenë fillimi i idesë për të krijuar polin e tretë. Por mësohet se dy partitë e vogla, përveç ndryshimit të emrit që e cilësonin si të papërshtatshëm, pasi mund të kishte edhe parti të qendrës, kanë kërkuar që pjesë e draftit të ishin më shumë detaje. Pra, sipas burimeve, në draft thuhej se të tria partitë do të ishin në një koalicion të përbashkët, e nuk përjashtohej as mundësia e afrimit të ndonjë partie tjetër. Por nuk thuhej gjë as për mënyrën e daljes në zgjedhje, pra për lista të përbashkëta e detaje të tjera. “Që atëherë nuk u fol më për këtë draftmarrëveshje”, - shprehen burimet, ndërsa nuk saktësojnë kohën, nëse bëhet fjalë për një apo dy muaj më parë. Ideja e polit të tretë është hedhur për herë të parë që në dhjetor të 2006-ës, kur Ilir Meta i LSI-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Nard Ndoka i PDK-së dolën së bashku për të shmangur ngërçin politik që u krijua përpara zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007. Më tej LSI-ja doli nga koalicioni me PS-në. “Tri parti të majta e të djathta, fillimisht numri i së cilave do të shtohej, do të ishin të gatshme të përballeshin me dy partitë që kanë dominuar prej 17-vitesh në politikën shqiptare”, - ky ishte pak a shumë perceptimi i atij që do të quhej poli i tretë. Kjo hipotezë thuajse është zhdukur, por edhe përafrimi i koalicionit “E majta për integrim” me krijimin e një poli të tretë, që siç thonë vetë aktorë të rëndësishëm të së majtës, është lënë në harresë nga vetë iniciatoria, LSI-ja.