MASH-i nuk lëshon pe

TIRANË - Mes 13 mijë maturantëve që këtë vit akademik nuk do të kenë mundësinë të ulen në auditorët e universiteteve, janë edhe rreth 100 maturantë, të cilët kanë dalë të parët në degët e Akademisë së Arteve, Akademisë së Sporteve dhe Arkitekturës. Atyre nuk iu është njohur ky rezultat nga ana e Ministrisë së Arsimit, pasi rezultojnë mbetës në njërin prej provimeve me zgjedhje. MASH nuk është tundur nga vendimi i saj, edhe pas ankesave të maturantëve për të bërë një përjashtim në rastin e tyre. Ata kanë kërkuar që notën e marrë në provimet me zgjedhje ta konvertojnë në pikë, sepse shkolla të cilën ata kanë zgjedhur e bën vlerësimin në bazë të talentit të kandidatit. Lidhur me këtë ankesë, Ministria e Arsimit sqaroi dje se nuk do të bëhet asnjë përjashtim. Sipas dikasterit, “kanë të drejtë të kërkojnë që të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike vetëm ata kandidatë të cilët kanë kryer provimet e Maturës Shtetërore”. Maturantët janë shprehur të revoltuar se nuk e meritojnë që të penalizohen për një provim, i cili është i parëndësishëm në profesionin e tyre. Shumë prej maturantëve që vinin nga Liceu Artistik, u shprehën se lëndën në të cilën ata janë testuar, e kanë bërë vetëm një vit. Nga ana e tij, rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, tha se nuk dëshiron t’i largojë këta talente nga shkolla e tij, por kjo është diçka që e vendos Ministria e Arsimit. Disa prej kandidatëve janë shprehur të revoltuar se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër përveç profesionit për të cilin ata kanë zgjedhur të diplomohen. “Unë kam dymbëdhjetë vjet që i bie violinçelit dhe nuk di të bëj gjë tjetër”, tha Denisi, njëri prej nxënësve që u vlerësua me rezultatin më të lartë. Sipas MASH-it, nxënësit janë njoftuar përpara provimit për në universitet, se kualifikimi i tyre do të përcaktohej nga rezultatet e maturës. Gjithsesi, maturantët e mohojnë këtë deklaratë të MASH-it, duke thënë se janë njoftuar vetëm një javë pas konkursit. “Në datën 22 korrik u zhvillua provimi, ndërsa përgjigjen e morëm në datën 28. “Tri ditë më vonë Ministria e Arsimit dërgoi një letër në Akademinë e Arteve, me anë të së cilës nuk njiheshim fitues, pasi rezultonin mbetës në njërin prej provimeve me zgjedhje”, thotë Denisi. Megjithatë, MASH-i konsideron se çdo gjë ka qenë transparente, e shpallur publikisht dhe të gjithë konkurruesit kanë qenë të barabartë në garën e tyre.