Dorëzohet dosja; Kërkohen 4 burgime të përjetshme për Dritan Dajtin
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet ndaj të pandehurit Dritan Dajti, të akuzuar për vrasjen e katër agjentëve të policisë dhe dërgoi për gjykim dosjen e tij.
Dy prokurorët e çështjes, Eugen Beci dhe Ardian Nezha, dorëzuan ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen e Dajtit, ndaj të cilit rëndojnë gjashtë akuza, vrasja e katër agjentëve të policisë, armëmbajtja pa leje, falsifikimi i dokumenteve, falsifikimi i vulave dhe stampave, mbajtja pa të drejtë e uniformës së policit. Dajti akuzohet edhe për vrasjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuza edhe për kunatin e Dajtit, Ergest Xhoxhi, i cili ndodhej në një makinë me të kur sulmuan katër efektivët e policisë, si dhe për punonjësin e policisë, Mariglen Muçaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Dajti u arrestua në paraditen e 7 gushtit të këtij viti, në një aksion, ku mbetën të vdekur katër punonjës policie. Ai kërkohej që prej viti 2003, kur ishte arratisur nga Gjykata e Tiranës, ndërsa ishte çuar aty për një proces gjyqësor, ku akuzohej për vrasjen e një biznesmeni.
Akuzat ndaj Dajtit
Dy prokurorët e çështjes, Ardian Nezha dhe Eugen Beçi, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pas përfundimit të hetimeve që zgjatën 5 muaj, kanë akuzuar të pandehurin Dritan Dajti për kryerjen e veprave penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim, duke falsifikuar dhe përdorur dokumentet e mjetit tip “Wolswagen Touareg” me targa CR 535 FR, “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tre dokumente policie, “mbajtje pa të drejtë të uniformës së policisë”, duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit parashikuar nga nenet 79/c, 79/c, 79/c, 79/c, 79/ë, 278/2, 186/2, 190/1 dhe 247/2 i K. Penal.
Të akuzuarit e tjerë
Prokuroria e Krimeve të Rënda në kërkesën për gjykim dorëzuar gjykatës ka akuzuar edhe kunatin e Dajtit, Ergest Xhoxhin dhe inspektorin e policisë së Durrësit, Mariglen Muçajn. Xhoxhi i hetuar nën masën e sigurimit “arrest në burg” akuzohet për kryerjen e veprave penale të “përkrahjes së autorit të krimit”, “falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim duke falsifikuar dhe përdorur dokumentet e mjetit tip “Wolswagen Touareg” me targa CR 535 FR. Ndërsa Mariglen Muçaj, i hetuar nën masën e sigurimit “arrest në burg” akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.