Reduktimi i aksidenteve, Basha: Më shumë bashkëpunim me vendorët
Thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional midis Ministrisë së Brendshme dhe pushtetit vendor është kushti kryesor në uljen e aksidenteve brenda qendrave urbane.
Sipas ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, qeveria synon që numri i aksidenteve të ulet nga viti në vit, por për këtë nevojitet kontributi i gjithë institucioneve të përfshira. “Qeveria është zotuar të ketë një reduktim të aksidenteve vit pas viti, për të arritur në një shifër sa më të vogël gjatë këtij mandati katërvjeçar. Kjo duhet të shihet si prioritet nga të gjithë aktorët, duke përfshirë edhe institucionet e pushtetit vendor, si institucione përgjegjëse për pajisjen dhe funksionimin me sinjalistikën e nevojshme, duke filluar nga semaforët, tabelat qarkulluese pranë qendrave urbane”, - u shpreh Basha.
Numri një i Ministrisë së Brendshme së bashku me ambasadorin e KE-së, Helmut Lohan, vëzhguan nga afër trajnimin e policëve të Qarkullimit Rrugor nga oficerë të policisë austriake dhe sllovene, në kryqëzimin rrugor pranë shkollës teknologjike në Tiranë.
Trajnimi mundësohet nga misioni PAMECA III i BE-së dhe në të janë përfshirë rreth 150 efektivë të Policisë Rrugore nga i gjithë vendi.
Qëllimi është të përmirësohet formimi profesional i punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor me praktikat dhe standardet evropiane, për sa i përket sigurisë individuale gjatë kontrollit të makinave dhe përzgjedhjes së vendeve të duhura për kontrolle, menaxhimin e përshtatshëm të kryqëzimeve e ndarjen e detyrave.
Ndërkohë që trajnimet në drejtim të përmirësimit të qarkullimit rrugor do të vijojnë me përfshirjen e të gjithë punonjësve të policisë që mbulojnë këtë sektor.
Basha siguroi se në të njëjtën kohë me trajnimin e punonjësve të Policisë Rrugore do të punohet për dixhitalizimin dhe shtimin e kapaciteteve teknike për kontrollin, zbulimin dhe adresimin e shkeljeve në trafik, e po kështu edhe ashpërsimi i penaliteteve në shembullin e praktikave më të mira evropiane.
Objektiv i trajnimit të zhvilluar është përmirësimi i trafikut brenda qendrave urbane, si dhe parandalimi dhe ulja e numrit të aksidenteve në rrugë.