Alarm për bombë në Tiranë
Aksioni policor dje ne mesdite
Një çantë misterioze alarmoi dje në mesditë tërë policinë e Tiranës
TIRANË - Një telefonatë anonime për bombë provoi dje gatishmërinë e policisë, e cila zgjidhi situatën pa pasur nevojë për forca të tjerë të specializuara në këtë fushë. Një çantë e zezë, e lënë shkujdesshëm mbi një kosh mbeturinash, alarmoi policinë e kryeqytetit, që përveç kuriozitetit për të parë përmbajtjen e çantës, nuk kishte asnjë shqetësim tjetër, aq sa harroi edhe kalimtarët e rastit dhe kuriozët që rrethuan zonën, duke u bërë kështu pa dashje kordoni i sigurisë. Situata u zgjidh menjëherë, sapo në vendngjarje mbërriti një nga shefat e Patrullës së Përgjithshme, i cili mori guximin ta hapte vetë çantën e dyshimtë. Gjithçka ndodhi rreth mesditës së djeshme, kur një person i paidentifikuar telefonoi në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe lajmëroi se pranë kryqëzimit të nëntëkatësheve, mbi një kosh mbeturinash ndodhej një çantë e braktisur. Telefonuesi gjithashtu lajmëroi policinë, se çanta mund të përmbante lëndë të rrezikshme për jetën e kalimtarëve, pa përjashtuar gjithashtu edhe ndonjë shaka të mundshme që provon aftësinë dhe shpejtësinë e Patrullës së Përgjithshme. Dhe në fakt kështu ndodhi. Rreth orës 12.30, dy efektiva të policisë që patrullonin pranë zonës ku është parë çanta, mbërritën menjëherë në vendin ku ndodhej çanta, duke kërkuar përforcime për çdo situatë të mundshme. Uniformat blu, një djalë dhe një vajzë të sapoemëruar në Patrullën e Përgjithshme, nga hutimi dhe sjellja e tyre shprehnin qartë se përballeshin për herë të parë me një situatë të tillë. Pak nga pak filloi të rritet prezenca e bluve në vendngjarje, por askush nuk kujdesej për kalimtarët dhe kureshtarët, të cilët sa vinin dhe popullonin rrethin, brenda të cilit ndodhej çanta e dyshimtë. Në momente ankthi dhe paniku për të gjithë, rreth orës 12.45 të mesditës, nga një automjet i policisë zbriti njëri prej shefave të Patrullës së Përgjithshme, i cili pasi çau rrethimin e turmës, u afrua pranë çantës dhe me ndihmën e njërit prej vartësve të tij hapi çantën e zezë me mbishkrimin “Sport”. Për habinë e të gjithëve, brenda çantës nuk kishte asgjë të rrezikshme apo të dyshimtë, pasi dy nga policët nxorën prej saj vetëm copa gazetash të zhubravitura, të cilat e mbushnin aq mirë hapësirën e çantës, sa linte përshtypjes se brenda saj kishte vërtet diçka të dyshimtë. Pasi i nxorën të gjitha gazetat, uniformat blu morën frymë të lehtësuar, aq sa harruan të merrnin me vete çantën e dyshimtë, një veprim ky jo i zakonshëm në kësi rastesh. Pasi gjithçka përfundoi me sukses, dy policët e rinj u larguan duke buzëqeshur lirshëm dhe duke pëshpëritur me njëri-tjetrin për eksperiencën që sapo kaluan.