Godo: E djathta është pis
Sabri Godo
Presidenti republikan mendon se nëse dikush djathta kërkon të dalë nga koalicioni, ky akt do të ishte vetëm shkarkim mbeturinash
Republikanët e përjashtojnë mundësinë e largimit nga koalicioni me PD-në, ashtu sikundër veproi LSI-ja tek e majta. Megjithatë, Sabri Godo, presidenti i nderit i PR-së, mendon që, nëse forca të tjera tek e djathta do të duan të bëjnë të njëjtën gjë, atëherë më mirë, pasi pastrohet e djathta. Pyetur nga “Korrieri” lidhur me qëndrimin e Ndokës, se problemet mund të shfaqen edhe tek e djathta dhe la të nënkuptohej që PDK-ja do të bashkëpunojë me çdo parti të spektrit shqiptar, përfshi edhe LSI-në, Godo deklaron: “Kjo nuk do të ishte një gjë e mirë, por më në fund le të pastrohen ujërat. Nëse ka parti apo grupim që do t’i çojë punët në ekstrem, kjo u përket vetë atyre. Do dëshiroja të mos ndodhnin zhvillime të tilla brenda së djathtës. Nuk mund të parashoh atë që do të bëjë partia e zotit Ndoka apo e ndonjë tjetri”. Godo e përjashton një reagim të ngjashëm me atë të LSI-së nga republikanët. Pra, sipas tij, nuk mund të ketë një zhvillim të njëjtë mes PR-së dhe PD-së, pavarësisht përplasjeve aktuale. “Jo, nuk e kemi në mend një gjë të tillë. Nuk do të ecim në këtë rrugë. Ne jemi për gjuhën e marrëveshjeve. Çështjet janë në diskutim e sipër dhe s’kam pse të parashikoj ndonjë fund tragjik. Është e vërtetë që edhe PR-ja ka formuluar një qëndrim të vetin për lista të hapura, që të lejojë garën brenda vetë partive. Këtë do të vazhdojmë ta kërkojmë. Besoj do të biem në ujdi dhe do të gjejmë gjuhën e përbashkët”, - shton Godo. Presidenti i nderit të republikanëve thekson se koalicioni i djathtë në vetvete ka interes të qëndrojë i bashkuar. Megjithatë, ai nuk ngurron të komentojë edhe çarjen e fundit mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Godo shton se e kishte parashikuar këtë përplasje, ndonëse jo në këto momente. “E mendoja se kjo përplasje dikur do të vinte. Këta të dy nuk besoja se do të shkonin në një marrëveshje të gjatë për shkak të mënyrës së tyre të të menduarit të gjërave, stilit në punë, por edhe prirjeve të tyre. Meta nuk është një aleat që të pranojë të mos pyetet. Përveç ndryshimit të strategjive politike, këtu hyn edhe karakteri personal mes të dyve. Socialistët nuk i pyesin aleatët, ndaj kjo është një dukuri e vjetër, që shpesh i ka prishur punë”, - deklaroi ai. Presidenti i nderit i PR-së shton se edhe përplasja për postin e kryeministrit mund të jetë një ndër të fshehtat e kësaj përplasjeje mes Ramës dhe Metës. Sipas tij, rivaliteti mes të dyve ishte një fakt, që një ditë do të dilte haptas. Megjithatë, si përherë, e majta ka pasur më shumë debat brenda saj, “kryengritje politike” brenda koalicionit, madje edhe brenda partive. Në kampin tjetër, kryeministri Berisha më së shumti i ka pasur nën kontroll aleatët, ndonëse gjatë qeverisjes janë vënë re përplasje brenda vetë PD-së dhe partive të koalicionit qeveritar. Mbetet për t’u parë nëse në fund në kampin e djathtë do të mbizotërojë maturia e Godos apo mospërulësia e Ndokës. saqellari@korrieri.com