E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorina Qirjaqi: Falemnderit për nderimin që i bëtë babait tim

Dorina Qirjaqi, letër falënderimi Teatrit Kombëtar për respekt të të atit, aktorit që ndërroi jetë disa ditë përpara

Duke lënë Shqipërinë dhe varrin e njeriut të dashur, të atit, Agim Qirjaqi, Dorina Qirjaqi i është drejtuar me një letër falënderimi Teatrit Kombëtar. "Ju shkruaj këtë letër për t'ju shprehur falënderimet e mia dhe mirënjohjen më të thellë për dashurinë, përkushtimin dhe përkrahjen që i keni ofruar babait tim, Agim Qirjaqi, gjatë sëmundjes së tij të gjatë dhe për nderimin dinjitoz gjatë përcjelljes për në banesën e fundit", shkruan vajza e aktorit që ndërroi jetë më 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare. Duke shprehur me pak fjalë lidhjet e ngushta të të atit me teatrin, ajo tregon se aktori zgjodhi ta përballonte në Shqipëri vdekjen e pashmangshme. "Jam e bindur që të njëjtat ndjenja për ju shokë, kolegë dhe në veçanti të Teatrit, e kanë shoqëruar babain tim gjatë gjithë jetës së tij deri në momentet e fundit. Kjo lidhje ishte aq e fortë sa duke sakrifikuar dashurinë që kishte për mua dhe nipërit e tij, preferoi të jetonte dhe të ndërronte jetë, këtu në vendin e tij dhe mbi të gjitha pranë jush dhe teatrit, pasion të cilit i dedikoi tërë jetën dhe energjitë e tij." Dorina falënderon drejtorin e Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami të cilit ia drejton letrën, aktorët Ahmet Pasha e e Vasjan Lami, regjisorin Kame, duke parë tek këta njerëz dhe të tjerë që u gjendën në këto ditë të vështira "vlerat më të mëdha të jetës si miqësia, ndjenjat dhe altruizmi".


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›