Doris Pack mbërrin në Tiranë, premton mbështetje për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE

Zëvendëskryreministri Genc Pollo priti delegacionin e Parlamentit Europian, të kryesuar nga Doris Pack, me rastin e takimit ndërparlamentar të 15-të midis Parlamentit shqiptar dhe atij të Bashkimit Evropian. Gjatë takimit, delegacioni i BE u përqendrua në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kanididat në BE. Pollo pasi mori mbështetjen e europarlametarëve për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit anëtar të BE, kërkoi mbështetjen e PE pasi Shqipëria ta ketë bërë këtë kërkesë, në mënyrë që procesi të jetë sa më i sukseshëm dhe i shpejtë. Përsa i përket procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Pollo i garantoi delegacionit evropian se qeveria do bëjë të mundur që këto zgjedhje të jenë më të mirat të realizuara deri më sot në vend, dhe të krahasueshme me standartet më të mira në Evropë. Pak më herët, delegacioni i europarlamentarëve u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Z. Lulzim Basha. Ministri Basha informoi bashkëbiseduesit në lidhje me hapat që po ndërmerren për avancimin e Shqipërisë në proceset integruese drejt BE-së, si dhe rreth zhvillimeve të fundit në rajon. Në mënyrë të veçantë, europarlamentarët shfaqën mjaft interes për këndvështrimin dhe analizat e shtetit shqiptar për zhvillimet në Kosovë. Duke shprehur mirënjohjen për angazhimin e të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë të BE-së në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, Ministri Basha theksoi se perspektiva evropiane ka qenë gur themeli për zhvillimin e gjithanshëm të këtyre vendeve. Eurodeputetët shprehën kënaqësinë për arritjet e Shqipërisë në proceset e saj integruese dhe për anëtarësimin e pritshëm muajin që vjen të Shqipërisë në NATO, si dhe vlerësuan kursin e qartë, të hapur e bashkëpunues të politikës së jashtme shqiptare. Edhe Presidenti Topi ka pritur sot delegac
ionin e Parlamentit Evropian të kryesuar nga Kryetarja e këtij delegacioni për Evropën Juglindore, Doris Pak. Presidenti Topi vlerësoi ndihmesën e vazhdueshme të institucioneve të BE-së për Shqipërinë, veçanërisht në vitet e fundit, në mbështetjen e madhe për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi gjithashtu angazhimin dhe përkrahjen e strukturave të rëndësishme të BE-së, për nisjen së shpejti të aplikimit të Shqipërisë për vend anëtar në Bashkimin Evropian, si dhe për premisat për liberalizim të plotë të vizave për qytetarët shqiptarë. Nga ana e saj, Kryetarja e delegacionit, Doris Pak dhe anëtarët e tjerë europarlamentarë shkëmbyen mendime me Presidentin Topi rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, situatën politike në vend, reformat e ndërmarra, kryesisht reformën zgjedhore dhe situatën ekonomike. Bashkëbiseduesit diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamje rreth reformës zgjedhore, zgjedhjeve të ardhme parlamentare dhe përmbushjes së standardeve të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Në emër të delegacionit të zgjeruar të Parlamentit Evropian, znj. Pak çmoi faktin e bërjes në kohë dhe aprovimit me konsensus të gjerë të një sërë reformash dhe ligjesh të rëndësishme si ai zgjedhor, apo reforma në drejtësi.