Rritet interesi i bonove të thesarit

Interesi i bonove të thesarit (letra me vlerë, që qeveria ua merr hua investitorëve publikë dhe privatë) me maturim 1 vjeçar aktualisht ka arritur në 9.2 për qind, duke pësuar një rritje gati me 1 për qind krahasuar me fillimin e vitit. Ekspertë të bankave të nivelit të dytë e shpjegojnë këtë me faktin e tkurrjes së likuiditeteve në bankat e nivelit të dytë dhe nga ana tjetër me kërkesën në rritje të qeverisë për para cash, nëpërmjet emëtimit të borxhit të brendshëm. Duke u ndalur në efektet e kësaj rritjeje, ekspertët shpjegojnë se së pari qeverisë i duhet të paguajë më shumë interesa kundrejt bankave dhe individeve për paratë që u merr hua. Së dyti, bankat do të ofrojnë interesa më të larta për kreditë, për shkak se kredia në lekë jepet duke pasur parasysh interesin 12 mujor të bonove të thesarit, duke i shtuar dhe një përqindje shtesë, që varion në varësi të bankës. Bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme për të financuar shpenzimet që nuk i mbulon dot nga të ardhurat. Huamarrja nga publiku ndryshe do të kuptohej si shitja e letrave me vlerë të qeverisë publikut. Aktualisht, qeveria shqiptare emeton dy lloje letrash me vlere; bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudha 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2, 3 dhe 5 vjeçare. Rritja e vazhdueshme e interesave të bonove të thesarit dhe obligacioneve, kohët e fundit, paraqitet si një mundësi e re edhe për individët. Investimi ne bono thesari një vjeçare, gjashtëmujore apo tremujore për individët sjell interesa, në disa raste dy herë më të larta se depozitat e vendosura në pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë. Duke qenë se janë detyrim i drejtpërdrejtë i qeverisë, ato njihen si letra me vlerë me rrezik zero. Aktualisht, bonot emetohen në monedhë kombëtare lekë dhe shiten nëpërmjet ankandeve të organizuara nga BSH. Në ankandin për bono thesari mund të marrë pjesë çdo individ, biznes apo bankë. Bonot e thesarit, aktualisht janë i vetmi mjet i tregtueshëm, në të cilin bankat mund të investojnë
...