Qeveria ka subvencionuar pagesën për kartat e identitetit

Zëvendëskryeministri Genc Pollo komentoi sot në Kuvend nismën e opozitës për të ofruar karta identiteti falas për shtetasit që nuk kanë pasaportë, duke e cilësuar këtë propozim si 'hipokrizi. Të jepen letërnjoftime pa lekë kjo është hipokrite, asnjë i vend i botës nuk e bën këtë, kur ju (opozita) dhe çertifikatat i keni dhënë me lekë", komentoi zv/kryeministri nismën ligjore të opozitës gjatë minutave të debatit të lirë në Kuvend. Ai tha se "tashmë Qeveria ka miratuar vendimin për të subvencionuar pagesën për kartat e identitetit për kategorinë e pensionistëve, studentëve, rrogëtarëve të vegjël dhe të papunëve". Pollo tha se "propozimi i PS-së synon të pengojë shtetasit me pasaportë nga aplikimi dhe kjo është parimisht e padrejtë dhe praktikisht e padobishme. Tashmë stacionet e aplikimit janë hapur në të gjitha anët e vendit dhe do të hapen edhe në komunat më të largëta. Rezulton se sot kemi rreth 13 mijë aplikime në ditë dhe synojmë që së shpejti ky numër të rritet në 15 mijë". Zv/kryeministri iu përgjigj dhe deklaratës së opozitës për rrezik të procesit zgjedhor. "Është për të ardhur keq, sepse së bashku kemi reformuar sistemin zgjedhor, duke u përpjekur të gjejmë një të përshtatshëm për vendin tonë, që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme dhe këtë e bëmë me amendamentet kushtetuese të vitit të kaluar dhe me miratimin e kodit zgjedhor", tha z. Pollo. Sipas tij edhe elementi tjetër i rëndësishëm i zgjedhjeve, listat zgjedhore, të dala nga një regjistër kombëtar i gjendjes civile unik dhe i kompjuterizuar, u janë dërguar komunave dhe bashkive, pesë muaj para datës së zgjedhjeve dhe jo disa javë para, siç ka ndodhur në të kaluarën.
...