Opozita në kuvend: Mazhoranca të reflektojë për propozimin tonë për kartat e identitetit

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj kërkoi sot në Kuvend që qeveria të reflektojë ndaj propozimit të PS-së për përfitim falas të kartës së identitetit nga qytetarët që nuk kanë pasaporta. Gjatë debatit të lirë parlamentar, Leskaj reagoi ndaj deklaratës së një dite më parë të Kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk e pranoi këtë propozim të socialistëve. Sipas saj "përgjigja e kreut të qeverisë rrezikon procesin, pasi ne prisnim një reflektim dhe përgjigje serioze për këtë çështje të rëndësishme". Ajo vuri në dukje se fluksi i aplikimit të shtetasve, sidomos në zonat rurale është i ulët, pasi shërbimi është i papërballueshëm për shkak të pagesës. "Ne kemi gatë një vit që e ngremë këtë çështje, ndërkohë që sot jemi në limitet kohore të procesit, për shkak të afrimit të zgjedhjeve. Mungesa e kartave do të kishte kosto të lartë për vendin, pasi ajo lidhet me garantimin e së drejtës së votës. Propozimi ynë do të shërbente si një nxitje për shtetasit që të aplikojnë", tha znj. Leskaj. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri i konsideroi si tentativa për të prishur procesin, të gjitha ato përpjekje që synojnë t'i shndërrojnë kartat e identitetit në letra apo karta votimi, si në vitin 1997 që u shpërndanë gratis dhe shumica e tyre përfunduan në lumin e Lanës. "Qeveria ka marrë masa për uljen nën kosto të çmimit të kartave dhe konkretisht për buxhetorët me 20 për qind, për pensionistët me 35 për qind dhe për studentët dhe personat me ndihmë ekonomike me 46 për qind", tha Kryeministri, sipas të cilit ecuria e deritanishme e shpërndarjes së kartave të identitetit "është e shkëlqyer”.
...