E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pack nuk vlen më aspak

TIRANE - Në leksikun e shqipes nuk ka munguar ndonjëherë fjala ‘nder’. Por, në gojën e Sali Berishës, ky nocion është përdorur dhe shpërdorur pa masë, sa herë ia kanë dashur interesat e tij për të marrë dhe mbajtur me çdo kusht pushtetin e vet politik, si edhe situatat e vështira që paralajmërojnë rrezikimin e këtij pushteti. Më tej, kryeministri frankofon shqiptar i është përmbajtur atij proverbi të vjetër, sipas të cilit, pyetjes: “ç’është honneur?”, disa njerëz duhet t’i përgjigjen: “është një chimere franceze!”. Pra, një kimera, një iluzion i kotë.
Kështu ndodhi kohët e fundit, kur Kryetari i Qeverisë sonë u detyrua që 21 majin e kaluar ta gdhinte në restorantin ‘Krokodil’ të Strasburgut. Sigurisht, jo vetëm, por bashkë me kundërshtarin e tij të Tiranës politike, në krah të të cilëve trokisnin qelqet e shampanjës për dialog edhe krerët e dy grupimeve më të mëdha të Parlamentit Europian, me asistencën e vëmendshme të Komisionerit të Bashkimit Europian për Zgjerimin. Në të vërtetë, një natë qe ajo, një nga ato netët pranverore, kur harrohen fjalët e thëna pasi zbehet hëna.

Ndonëse drejtuesit e eurodeputetëve të të dy krahëve kryesorë deklaruan atëherë, se do të vazhdonin të punonin për të ndikuar në zgjidhjen e krizës politike rreth 10-mujore që trondiste Shqipërinë, ai i grupit të të djathtëve të qendrës, Doull, pas pak javësh nuk e kujtonte marrëveshjen me homologun e të majtëve, Shulc, sikurse as premtimin për t’iu përmbajtur konsensualisht kësaj marrëveshjeje deri në fund. Dhe, kështu u shkëput për të fluturuar drejt Tiranës. Erdhi këtu dhe deklaroi publikisht që në Shqipëri nuk ekziston më kriza, se Parlamenti po funksionon normalisht, përderisa merr pjesë në ‘të edhe opozita. Kur kjo sqaroi që zoti Doull erdhi për të bërë propagandë pro Berishës, ky i fundit iu kthye, duke thënë që europarlamentari francez u mundua, bëri tërë atë rrugë që të mbështeste gjithë shqiptarët.
Mirëpo, ky zbulim i ‘nderit’ që u bëkërkan shqiptarëve ca miq të tij, me sa u muar vesh nuk zgjati shumë. Vetëm pak ditë më vonë, pasi u largua nga Shqipëria, francezi Doull u intervistua nga radioja “Deutche Welle”, pyetjes së të cilës rreth gjendjes këtu iu përgjigj me faktin e vazhdimit të krizës politike, që duhej zgjidhur sa më parë. Të njëjtin fakt kishte vënë në dukje më 14 qershor në Luksemburg, pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së, edhe Kryediplomatja e këtij Unioni, Ledi Ashton. Ashtu siç e përmendi nga Brukseli edhe Komisioneri europian, Shtefan Fyle.
Në këto situata dhe, kur shumë shqiptarë nuk ta njohin ‘nderin’ e parë, nëse nuk ua bën edhe të dytin, edhe të tretin etj, për t’iu përgjigjur atyre që mund të të ketë bërë ai, sytë e maxhorancës sonë qeverisëse dhe veçanërisht të liderit të saj u drejtuan ngultazi për nga një tjetër mike e tyre, e njohur për besnikërinë dhe njëanshmërinë e vet këmbëngulëse. Pra, nga eurodeputetja Doris Pack, e cila është krahasuar prej shumë bashkatdhetarëve të saj me homunculus – in e doktor Vagnerit të ‘Fausti’. Sa për sqarim të lexuesit, në latinisht ky emër i përgjithshëm nënkupton njeriun artificial, që alkimistët ëndërronin ta krijonin në mënyrë laboratorike. Ndërsa, në kuptimin figurativ, edhe sot do të thotë njeri i vockël, i mjerë, që është për të ardhur keq.
Mirëpo, shpresat te roli i kësaj ndrikulle, që e zhveshur lakuriq do të dukej edhe më e shëmtuar se sa në jetën e përditshme të përfitimeve politike që këshillon, nuk u justifikuan as për ca e ca ithtarë pragmatistë të saj në Tiranën zyrtare. Shumëkush që i ka ndjekur me vëmendje këtu debatet e seancës së datës 7 Maj në Parlamentin Europian, të transmetuara edhe nga disa stacione televizive shqiptare, me siguri që i kanë bërë përshtypje ndërhyrjet energjike të eurodeputetes së djathtë gjermane, e cila ndërmjet paraqitjes kryesisht të shtesave dhe amendimeve të të majtëve në tekstin e Projekt–Rezolutës për Shqipërinë, s’mund të rrinte pa insistuar që kriza politike këtu nuk ekzistonte më, sepse opozita e këtij vendi ishte e pranishme në Parlament dhe prandaj ky funksiononte me të gjitha kapacitetet e nevojshme. Sikurse, për mjaft telespektatorë, ashtu si ata kombas të ndryshëm që patën zënë vendet e tyre në sallën e madhe të Strasburgut, nuk kishte si të mos binin në sy madje edhe nënqeshjet ironike apo tallëse të liderit të Partive Popullore Europiane, Doull, gjatë llomotitjeve të koleges së tij.

Këto pamje vetvetiu të krijonin përshtypjen se, të nesërmen Rezoluta do të miratohej e plotë sipas ndërhyrjeve në tekstin e saj të eurodeputetëve socialistë, social – demokratë, liberal – demokratë etj. Dhe, ashtu ndodhi vërtet. Por, ajo që nuk parashikohej kishte të bënte me numrin e jashtëzakonshëm të votave pro këtij teksti, mbi 12 herë më të madh se sa ato kundra, dhe goxha më tepër sesa abstenimet. Kështu, një stinë e zgjatur dhe e vështirë kompromisesh në Strasburg u mbyll, duke shkruar ndërkohë një epilog të përpjekjeve të bezdisshme të ndrikullës kryeneçe, deklaratat e së cilës rreth proceseve integruese edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren plotësisht të mirëqena. Ndërsa, për Tiranën zyrtare, tani Doris Pack nuk vlen më aspak.

(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›