E Diel, 1 Nëntor 2026

E akuzoi se i kishte vjedhur shtëpinë vite më parë, i bën atentat 37-vjeçarit

Autori i ngjarjes e ka ndjekur nga pas me makinë. Policia ndalon agresorin dy orë pas ngjarjes

Një konflikt i vjetër për pak i ka marrë jetën një 37-vjeçari nga Ura Vajgurore. Ai ka rënë pre e një sulmi me armë, por fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime. Ndërkohë policia, e cila është vënë në ndjekje të autorit, ka mundur ta ndalojë atë në afërsi të Gurit të Bardhë, vetëm pak orë pas ngjarjes. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 13.30 të së premtes, kur 21-vjeçari Jonus çobo, pasi ka ndjekur me makinë 37-vjeçarin Adri Protoduari, ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të këtij të fundit, por pa mundur ta plagosë. Më pas i riu është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe ka tentuar të fshihet për t’i shpëtuar prangosjes së policisë. Banorët e alarmuar nga krismat e armëve kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu, të cilat kanë mbërritur brenda pak minutash në vendin e ngjarjes. Ekspertët kriminalë kanë mbledhur dëshmitë e para, nga të cilat ka rezultuar se 21-vjeçari kishte qëlluar disa herë në drejtim të 37-vjeçarit Adri Protoduari, por fatmirësisht pa i shkaktuar lëndime. Në vendin e ngjarjes, shumë pranë një pike lotarie sportive, uniformat blu kanë gjetur disa gëzhoja arme, që dyshohet se janë shkrepur nga një armë zjarri e tipit pistoletë. Uniformat blu janë vënë në ndjekje të autorit, i cili kishte braktisur makinën e tij pranë kodrave të qytetit. Brenda dy orësh policia ka mundur ta ndalojë autorin, i cili është marrë në pyetje nga grupi i hetimit i ngritur për këtë çështje. Ndërkohë burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për “Shqip” se sherri ka nisur fillimisht në qytetin e Kuçovës, pasi Protoduari ka akuzuar çobon se i kishte vjedhur shtëpinë, përpara se të ikte si emigrant në Zvicër. Konflikti mes tyre e ka origjinën disa vite më parë, por është rishfaqur dje kur dy të rinjtë janë përballuar rastësisht në një lokal të Kuçovës. Sapo ka ndeshur me 21-vjeçarin, Protoduari e ka akuzuar se i kishte vjedhur shtëpinë vite më parë. Ata janë grindur me njëri-tjetrin dhe 37-vjeçari e ka goditur me grusht çobon dhe më pas është larguar me makinën e tij, në drejtim të Urës Vajgurore. Ndërkohë 21-vjeçari e ka ndjekur nga pas me makinë dhe sapo i është afruar, ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të tij. Policia ende s’ka dalë në një variant zyrtar të ngjarjes, por mësohet se po hetohet në disa pista për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje që tronditën qytezën e Urës Vajgurore mesditën e djeshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›