Vilte gjobat e prapambetura, nisin hetimet për rrugorin mashtrues
Prezantohej si polic rrugor për t’u “zhvatur” gjoba shoferëve në Librazhd, procedohet penalisht mashtruesi shkodran. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se ka nisur ndjekja penale për 49-vjeçarin Gjovalin Dajani, banues në fshatin Strajkë të Komunës Bushat të rrethit Shkodër. Të njëjtat burime saktësojnë se Dajani dy ditë më parë, është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë, në fshatin Dragostunjë, duke drejtuar mjetin tip “Fiat-Punto” me targa Aë 777 LF, mbi të cilën kishte vendosur një tabelë me mbishkrimin “Gjobat e policisë rrugore”. Nga ana e policisë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, mjeti me targa të huaja, si dhe dy tabelat që 49-vjeçari i mbante në dy anët e kabinës së makinës. Sipas policisë, 49-vjeçari mbante veshur një uniformë të rrugorëve dhe dyshohet të ketë abuzuar financiarisht në emër të policisë, duke mbledhur gjobat e papaguara. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për veprime të mëtejshme. Pas shoqërimit të tij në polici për dy orë, prokuroria ka vendosur ndjekjen e tij në gjendje të lirë.
#