Dortmund-Hanover, shmanget atentati terrorist!
Policia Federale e Gjermanisë ka mundur të shmangë një incident që mund të kishte pasoja të mëdha në stadiumin më të populluar të Europës
Autoritetet gjermane kanë arritur të shmangin një sulm terrorist të planifikuar për ndeshjen e të shtunës në Bundesliga mes Dortmundit dhe Hanoverit në “Signal Iduna Park”. Policia gjermane ka arrestuar një person, i cili besohet të ketë planifikuar sulmin me bomba në stadiumin e Dortmundit. “Bild” shkruan se të enjten policia ka gjetur dy gropa të thella, një pranë Krefeldit dhe një tjetër pranë stadiumit të Dortmundit, ku ishin të fshehura armë dhe material eksploziv. Besohet se këtë sulm e kishte në plan vetëm personi i arrestuar 25 vjeçar. Ai u arrestua në një hotel të Këlnit nga policia federale gjermane (BKA) të martën, por lajmi për planin e tij terrorist u bë i ditur vetëm dje. BKA thuhet të ketë pasur dijeni për këtë sulm që nga shkurti. Policia zbuloi se atentatori kishte planifikuar t’i sulmonte tifozët brenda dhe jashtë stadiumit. Autoritetet besojnë se ky sulm terrorist do të ishte pikënisje e sulmeve tjera seriale nëpër stadiumet tjera gjermane. Ende nuk dihet nëse personi në fjalë ka marrë urdhra nga dikush tjetër për të ekzektuar planin në fjalë. Dortmundi ka shitur të gjitha biletat (80,720) në nëntë nga 13 ndeshjet në shtëpi, ndërsa ka një mestare prej 78,798 shikuesish për ndeshje, që është më e madhja në Europë. Biletat për ndeshjen ndaj Hanoverit janë shitur tashmë, gjë që do të thotë se policia gjermane ka shmangur një katastrofë të përmasave të mëdha.