E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 250 mijë euro premio për ekipin kombëtar

SHKRUAN: Jeton Selimi 01-04-2011 11:23

Më 26 mars, Kryeministri Berisha pati premtuar një shpërblim për fitoren e skuadrës kuqezi, në ndeshjen kundër Bjellorusisë (1-0), fitore që e futi ekipin tonë përfaqësueses tërësisht në valle, për një vend në Kampionatin Europian që zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë në vitin 2012. Dje, kreu i qeverisë ka bërë realitet premtimin e tij, duke caktuar shumën e majme që do të përfitojë skuadra jonë kuqezi. Janë gati 250 mijë euro të vëna në dispozicion për lojtarët dhe stafin e kombëtares, që përkthehet 10 mijë euro për kokë. Vetëm Cana, Salihi e Kuzhe do të përfitojnë diçka më shumë, nga 15 mijë euro.

Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha e nisi diskutimin e tij me futbollin. Duke u ndalur te rezultat e kënaqshme të kombëtares së futbollit, sidomos pas fitores me Bjellorusinë, Berisha premtoi shpërblim për lojtarët e trajnerin. “Do shpërblejmë me 10 mijë euro secilin lojtar të ekipit kombëtar dhe me 15 mijë euro kapitenin Lorik Cana, trajnerin dhe golashënuesin Salihi. Vendimi u mor pasi kombëtarja shqiptare ka shënuar arritjet më të mëdha në tërë historinë e ekzistencës së futbollit shqiptar”, - tha Kryeministri. Megjithatë, kapiteni në sfidën e fundit ishte Altin Lala, por ky fakt duket se i ka shpëtuar Kryeministrit, që gjithsesi nuk i kurseu fjalët e mira për skuadrën kombëtare. Fitoren me Bjellorusinë, Berisha, e cilësoi si ogurin më të mirë në këtë pranverë, ndërsa shtoi se një rol të rëndësishëm në këtë fitore patën edhe tifozët kuqezi. “Fitorja me Bjellorusinë ishte oguri i bardhë i kësaj pranvere, i këtij sezoni. Respekt i veçantë për tifozerinë e zjarrtë shqiptare, faktor i rëndësishëm i kësaj performance”, - tha më tej Berisha, që vlerësoi dukshëm performancën e tifozërisë së shumtë të pranishme në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”.

Pjaniç: Mos ia merrni Bosnjës edhe futbollin

Lojtarëve të Bosnje-Hercegovinës, iu ka mbetur vetëm edhe shpresa që UEFA të jetë e mëshirshme ndaj tyre, pasi që Federata e atjeshme e futbollit, nuk ka arritur t’i bëjë ndryshimet e nevojshme në statutin e vet. “Situata është shumë serioze, dhe nuk ka futbollist që nuk është në shok. Kjo situatë është dramatike dhe për adhuruesit tanë. Shpresoj që UEFA dhe FIFA të bëjnë lëvizje të mençura”, tha njëri nga lojtarët e Bosnjës, Miralem Pjaniç, që luan për Lionin. Ai shpreson që përfaqësuesja e tij, të mos përjashtohet nga eliminatoret e Kampionatit europian. “Ne futbollistët, jemi pengje të njerëzve të paaftë, të cilët mendojnë vetëm për interesin dhe profitin personal. Atyre nuk u intereson fare kombëtarja”, tha Pjaniç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›