E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Gërdeci", kostoja totale 35 milionë lekë

Efektet financiare vazhdojnë të rëndojnë arkën e shtetit shqiptar në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Krahas pagesës për rindërtimin e fshatit të shkatërruar, humbjes gjatë demontimit të municioneve, llogaritjes së keqe të dëmshpërblimeve, qeveria duhet të paguajë edhe 35 milionë lekë si kosto totale e hetimit të dosjes nga ana e prokurorisë. Kjo e fundit, pas mbylljes përfundimtare të hetimeve, ka publikuar shifrën e shpenzimeve për 12 muaj, kohë e cila i është dashur që të ngrejë akuzat për 30 të pandehur. Këtu përfshihen aktet e ekspertimeve, urdhra shërbimi, karburant për automjetet, letra që janë përdorur për dosjen dhe shumë e shumë shpenzime të tjera. Sipas organit qendror të akuzës, hetimi ka marrë një pjesë të shpenzimeve të organit të akuzës, të destinuara për të shkuar për të tjera qëllime. Mosrritja e fondit vjetor për Prokurorinë e Përgjithshme nga qeveria ka bërë që institucioni i akuzës të mbetet borxhli ndaj ekspertëve të ndryshëm ushtarakë e civilë, të cilët kanë kryer ekspertime për llogari të hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Për llogari të hetimeve të ngjarjes së Gërdecit, grupit hetimor i janë dashur të kryejë një sërë akt-ekspertimesh të ndryshme nga institutet e ekspertëve pranë institucioneve zyrtare dhe atyre private. Këta ekspertë, të caktuar nga hetuesit e tragjedisë, kanë kryer ekspertime të ndryshme, si ekspertizë ushtarake, ekspertizë kontabël për caktimin e dëmit material dhe mjekoligjore të kufomave. Mësohet se dhjetëra ekspertë si ata të institucioneve shtetërore dhe private nuk janë paguar, edhe pse hetimet e kësaj tragjedie kanë përfunduar. Burime nga organi i akuzës deklarojnë se mospagimi i detyrimeve ndaj ekspertëve dhe instituteve ku ata punojnë, është bërë jo për shkak se Prokuroria e Përgjithshme nuk dëshiron, por për shkak se fondi i caktuar nga qeveria është i limituar dhe nuk është i mjaftueshëm as për pagimin e dietave apo punës jashtë orarit të prokurorëve. Mungesa e fondeve është ngritur edhe nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, duke kërkuar nga këta të fundit që të ndikojnë në Ministrinë e Financave për t‘i kërkuar rritjen e fondit edhe për 20 milionë lekë të reja, kërkesë kjo e cila nuk është pranuar nga qeveria. Përveç kësaj kërkese që nuk është pranuar, Kryeprokurorja Rama ka vënë në dukje në atë kohë, që Ministria e Financave në buxhetin e ri të vitit 2009, nuk ka parashikuar edhe borxhet që institucioni i akuzës ka pasur dhe vazhdon të ketë karshi ekspertëve të ndryshëm. Shumë kjo, që sipas Kryeprokurores, kap shifrën e 100 milionë lekëve të vjetra. Ndërkohë, burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se sot pritet që provat e kthyera nga Gjykata e Lartë të ridërgohen, pasi janë rregulluar ligjërisht. Hetuesit e çështjes kanë analizuar situatën dhe kanë vendosur që provat të dërgohen me protokolle të veçantë, ndërsa provat materiale të gjetura në kraterin e shpërthimit të jenë të vulosura dhe me dokumente shoqëruese. Mësohet se sot, në Gjykatën e Lartë do të dorëzohen edhe provat e gjetura në kraterin e shpërthimit, si dokumente dhe sende vetjake të Dritan Minxollit dhe Mihal Delijorgjit. Gjithashtu kompjuteri i Ylli Pinarit është vulosur dhe do të dorëzohet si provë në gjykatë.

Shorti

Gjyqtarët e "Gërdecit"

do të zgjidhen me gogla

Gjykata e Lartë ka vendosur që gjyqtarët që do të gjykojnë dosjen "Gërdeci" do të përzgjidhen nëpërmjet goglave dhe jo nga shorti elektronik. Duke "kopjuar" procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve për dosjen "Durrës-Kukës", zyrtarët e gjykatës menduan që të vendosin në të njëjtën mënyrë, duke parë kontestimet e politikës për disa çështje që janë hedhur me short elektronik në Gjykatën e Shkallës së Parë. Shorti do të zhvillohet në prani të të gjithë anëtarëve të gjykatës në ditët pasardhëse.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›