Dosja “Kashari”, gjykim të shkurtuar shtatë komunarëve
TIRANE - Gjykim të shkurtuar komunarëve të Kasharit. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në këtë proces ndaj shtatë të pandehurve Alfred Sula, Faik Fejza, Islam Shera, Ismail Sula, Naim Karaj, Shefqet Alikaj dhe Xhevair Hyka. Ndërsa në ngarkim të tre të pandehurve të tjerë, Ismail Bakalli, Naim Karaj dhe Ruhi Valisi do të zhvillohen procedura normale gjykimi. Pas kësaj, gjykata vendosi të ndante dosjen voluminoze me 17 fashikuj në dy pjesë, ndërsa shpalli se procesin ku do gjykohen Bakalli, Karaj dhe Valisi, me procedura të një gjykimi normal, do e shqyrtojë një tjetër trup gjykues. Shkak për ndarjen e çështjes ishte pretendimi për pafajësi i të pandehurve Naim Karaj dhe Ruhi Valisi, të cilët seancën e kaluar të procesit kërkuan lirimin nga qelia. Ndërsa dosja për Ismail Bakallin iu bashkëngjit asaj të Karajt dhe Valisit për shkak se ai nuk gjendet dhe gjykata i ka caktuar një avokat kryesisht. Seancën e kaluar të procesit, gjykata, pasi u rrëzoi kërkesën për lirim nga qelia Valisit dhe Karajt, vendosi të veçonte padinë civile që i dëmtuari Nexhmi Valisi ka paraqitur në gjykatë ku kërkon rikthimin e pronës, për grabitjen e së cilës akuzon të pandehurit Shefqet Alikaj, Naim Karaj dhe Ruhi Valisi. Seancën e ardhshme të procesit pritet që të akuzuarit Alfred Sula, Faik Fejza, Islam Shera, Ismail Sula, Naim Karaj, Shefqet Alikaj dhe Xhevair Hyka të paraqesin shpjegimet e tyre rreth akuzës. Gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes ata kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, duke pretenduar se Prokuroria ka mbledhur prova të falsifikuara në ngarkim të tyre. 10 të pandehurit e dosjes "Kashari" akuzohen të kenë konsumuar 23 akuza në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të gjitha kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronave të bashkëfshatarëve të tyre. Duke falsifikuar praktikat e ndarjes së tokës në këtë fshat, tre ish-komunarët e Kasharit, iu kaluan sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe në zonat më të lakmuara të afërmve të tyre. Arrestimi i tyre u bë në shkurt të vitit të kaluar, pasi Prokuroria nisi çështjen penale në bazë të disa denoncimeve të bërë nga banorët e zonës, të dëmtuar nga veprimet e të pandehurve. Më pas, gjatë hetimeve rezultoi se sipërfaqja e pronave të grabitura në komunën e Kasharit shkon në më tepër se 200 dynymë. fa.ma