Bushat, komuna padit abuzimet me pronat
SHKODER - Abuzimet me pronat në Komunën e Bushatit në Shkodër pritet të çojë para përgjegjësisë penale ish-drejtues të disa institucioneve, pasi kreu i kësaj komune, Zef Hila ka depozituar një denoncim në sektorin e antikrimit ekonomik dhe në Prokurorinë e Shkodrës. Ai bën me dije autoritetet hetimore për një mori rastesh për marrjen e certifikatave të pronësisë pa asnjë lloj dokumenti ligjor. Gjithashtu, Hila denoncon raste të shpërndarjes së tokës ish-pronarëve nga komisionet vendore në kundërshtim me ligjin 7501, marrjen e tokës më shumë sesa u takonte sipas ligjit, mbivendosjen e pronave etj. Këto abuzime janë kryer në periudhën 1992-1995. Shkeljet e konstatuara nga Komuna e Bushatit pas një procesi të gjatë verifikimi përfshijnë disa institucione. Nisur nga denoncimi i bërë do të hetohen drejtues të mëparshëm të komunës, të Komisionit të Kthimit të Pronave, të gjykatës etj. "Këto institucione kanë bërë kthime të pronave në kundërshtim me ligjin", u shpreh kryekomunari i Bushatit. Sipas tij, deri tani janë evidentuar 1025 raste, ku toka është pushtuar pjesërisht ose plotësisht. Janë konstatuar edhe raste të tjera kur toka publike është zënë nga persona të ndryshëm, të cilët pa asnjë dokument kanë mundur ta regjistrojnë në Hipotekë, duke marrë edhe certifikatën përkatëse. Kjo, sipas drejtuesve të Komunës Bushat, është evidentuar pas hyrjes në fuqi të vendimit nr. 68 të Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të njësive të qeverisjes vendore të tokave publike. Situata e krijuar pas abuzimeve me pronat në Komunën e Bushatit herë pas here krijon edhe konflikte mes banorëve. Për të lehtësuar këta banorë, të cilët prej vitesh enden zyrave pa gjetur të drejtën e tyre, Komuna Bushat ka mbledhur ankimet e ndryshme dhe i është drejtuar institucioneve. Rreth 170 familje akoma edhe sot kanë probleme me çështjen e pronësisë. Për këtë situatë, kryetari i komunës, Zef Hila u bën apel banorëve që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme që të vetëdeklarohen. "Kush ka marrë tokë nëpërmjet abuzimeve me forma të ndryshme, apo më shumë se u ka takuar, duhet të bëjnë patjetër deklarimet brenda tre muajve. Në të kundërt ndaj tyre do të zbatohet ligji, pohoi Hila. r.d