E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja M

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi paralajmëroi publikimin e një dosjeje me emrat e kosovarëve që kanë ndihmuar Dick Martyn ta përpilojë raportin e tij. Tha se dikush do të skuqet, kur faktet të publikohen. Partitë politike i cilësuan të paarsyeshme dhe të papranueshme këto pohime. Dikush përmendi edhe krijimin e një “fronti unik” për përmirësimin e imazhit të dëmtuar të vendit. Nga Faton Ismajli më 25 dhjetor 2010 në ora 09:00

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi ka vendosur të mos merret vetëm me raportin akuzues të Dick Martyt, por tërthorazi ka hedhur akuza në drejtim të rivalëve politikë. Ai ka përmendur se ka dosje me emrat e qytetarëve të Kosovës, të cilët i kanë ndihmuar Martyt për përpilimin e raportit, i cili akuzon disa zyrtarë të PDK’së se janë të përfshirë në trafikim me organe njerëzore dhe krim të organizuar.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” të TV Klan, Kryetari i PDK’së ka deklaruar se ka dëshmitarë dhe fakte që tregojnë për mënyrën se si është hartuar raporti.
Ai nuk ka përmendur emra, por ka paralajmëruar se me kohë do t’i publikojë të gjitha.

Edhe pse nuk tha se kur do ta bëjë publik dokumentin, ai la të kuptohet se, kur kjo të ndodhë, në të do të figurojnë emra njerëzish edhe nga subjekte politike kosovare. “Ata janë ndëshkuar nga vota e popullit. Shikojeni kush dhe si është pozicionuar për këtë çështje, e keni të lehtë ta kuptoni”, ka thënë Thaçi.

“Këta individë do të skuqen nga ky publikim”, ka shtuar ai.

Thaçi ka përmendur edhe David Philipsin, i cili pati akuzuar SHIK’un se mbledh më shumë se 200 milionë dollarë në vit nga nëntoka, si ndihmës të Martyt.

Mirëpo, zyrtarët e partive politike janë shprehur të habitur me deklaratat e Thaçit.
“Prej panikut që ka, Thaçi po mundohet t’i sulmojë të gjithë”, ka thënë Glauk Kojufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Megjithëkëtë, bashkëpartiaku i Thaçit, ministri Bajram Rexhepi thotë se emrat e atyre që ndihmuan përpilimin e raportit duhet të publikohen.

“Edhe unë e kam dëgjuar mbrëmë dhe më vjen mirë që, nëse ka emra të tillë, ai do t`i publikojë”, ka thënë Rexhepi. “Unë nuk e di, por sigurisht Kryeministri e di kujt i është drejtuar”, është shprehur ai.

Zyrtarë të Vetëvendosjes po vazhdojnë ta quajnë reagimin e Thaçit të paarsyeshëm.
“Nuk po e kuptoj pse Hashim Thaçi është bërë kaq shumë merak. Ai me reagimin e tij po i kontribuon raportit të Dick Martyt, po e legjitimon atë raport. Me reagimet e tij, po u jep dyshime ndërkombëtarëve sikur ta ketë mizën nën kapuç”, ka vlerësuar Konjufca.
Edhe pse LDK’ja nuk ka dalë me qëndrim rreth deklaratave të Thaçit, zyrtari i kësaj partie, Kujtim Shala, ka komentuar pohimet e tij.

“Marrja e një problemi shumë të madh politik, që tashmë është ndërkombëtar, me efekte shumë të këqija për shtetin dhe qytetarët e Kosovës përgjithësisht dhe projektimi i tij në politikën e brendshme të vendit, sidomos në këtë kohë pas zgjedhjeve, gjithsesi problematike, nuk e zgjidh këtë punë”, ka thënë Shala.

E, Naim Maloku nga AAK’ja, pasi ka konstatuar se askush nga shqiptarët e Kosovës nuk është në anën e raportit të Martyt, ka thënë se Thaçi bashkë me krejt zyrtarët e tjerë politikë duhet të merren me përmirësimin e imazhit të Kosovës.

“Ky raport nuk ka të bëjë me raportet tona, raportet ndërmjet partive politike, as ndërmjet partive dhe ndonjë OJQ’je”, ka thënë Maloku. “Raporti është kundër Kosovës, me qëllim vështirësimin e punës së shtetit të Kosovës. Nuk ka të bëjë me raportet tona se a ka fituar apo ka humbur dikush”, ka theksuar ai.

Maloku ka dhënë një porosi për akterët politikë. “Duhet ta kemi një front unik dhe të tentojmë ta riparojmë dëmin që i është bërë Kosovës”.

Sipas Malokut, raporti i Martyt nuk duhet të bëhet pjesë e fushatave politike. “Problemet e brendshme në skenën politike duhet të jenë gara me programe, e jo me raportin”.
Raporti akuzues i Dick Martyt është publikuar më 13 dhjetor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. Jo vetëm nga politika në Kosovë, ai është cilësuar i pabazë. Është thënë se për akuzat e përmbledhura aty, ka pasur edhe hetime ndërkombëtare, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë rezultat.

Po ashtu, është paralajmëruar se ndaj raportuesit të Këshillit të Europës do të ngrihet padi për shpifje dhe dëmtim të imazhit të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është dëmtuar nga ky raport. “Mund të ndodhë që edhe të pengohet, por ne duhet të bëjmë gjithçka ta prezantojmë të kundërtën. Imazhi i Kosovës është dëmtuar”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›