Dosja “Meta” në Gjykatë të Lartë, zgjidhen me short 5 gjyqtarët
Tiranë Vetëm një ditë pasi mori në dorë dosjen penale ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, Gjykata e Lartë ka përcaktuar kolegjin penal që do të gjykojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas Gjykatës së Lartë, ditën e djeshme në këtë institucion është hedhur shorti me gogla për dosjen me nr. akti 8/11, nga ku janë përzgjedhur gjyqtarët që do të kenë në dorë një prej çështjeve më të rëndësishme. Sipas shortit me gogla, rezulton se gjyqtarët që do të gjykojnë dosjen “Meta” janë: Ardian Dvorani, relatori i çështjes, si dhe anëtarë Besnik Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj. Gjyqtarët e përzgjedhur për të gjykuar këtë çështje, pritet të marrin në shqyrtim dosjen e dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme pranë kësaj gjykate, ndërsa do të caktojnë edhe datën kur do të nisë shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështjeje. Paralelisht me gjykimin e çështjes në themel, një tjetër trup gjykues në këtë gjykatë është duke shqyrtuar kërkesën e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta për shpalljen e pavlefshme të provave të prokurorisë. Dosja penale ndaj ish-zv.kryeministrit u dorëzua dy ditë më parë në Gjykatën e Lartë, pas përfundimit të hetimeve që prokurorët Anila Leka dhe Bujar Sheshi zhvilluan për këtë çështje. Pjesë e hetimit ishin edhe dy akt-ekspertimet e kontestuara nga avokatët mbrojtës të Metës, pasi njëri prej tyre, ai i kryer nga një ekspert amerikan, doli në përfundimin se nuk mund të zbardhej segmenti audio në video-përgjimin Meta-Prifti. Por, sipas prokurorisë, audio në pjesën e regjistruar është zbardhur nga eksperti anglez Adrian Philips, i cili do të përdorte pajisjet e specializuara të policisë shkencore britanike, edhe pse ai punonte si specialist në një kompani private. Ende nuk ka asnjë detaj për këtë çështje, kjo pasi përfaqësuesit ligjor të z.Meta e kanë kundërshtuar atë si të pabazuar në ligj. Përgjigja e mbërritur nga Britania e Madhe nuk u bë asnjëherë publike, edhe pse burime jo zyrtare konfirmuan pastrimin e zërit në këtë video-përgjim nga eksperti anglez. Pas përfundimit të hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, debatet juridike për këtë dosje pritet të zhvendosen në Gjykatën e Lartë. Kërkesa për pavlefshmërinë e çështjes, që mund të çojë në pushimin e çështjes në rast se pranohet nga Gjykata e Lartë, pritet të pasohet nga një tjetër kërkesë. Këtë radhë në qendër të kërkesave të mbrojtjes pritet të vihet mënyra sesi është marrë ky regjistrim, pasi video është depozituar në prokurori nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili ka marrë përsipër edhe autorësinë e këtij përgjimi, të kryer në zyrën e tij në muajin mars të vitit të shkuar.
Trupi gjykues
Relator: Ardian Dvorani
Anëtar: Besnik Imeraj
Anëtar: Arjana Fullani
Anëtar: Gani Dizdari
Anëtar: Guxim Zenelaj