E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen llava te metalurgjiku digjet punëtori

Hyqmet Doka menjëherë pas ngjarjes është dërguar për në spitalin e Tiranës për shkak të plagëve të rënda që ka marrë

ELBASAN Vazhdojnë aksidentet me pasoja për jetën te firma turke ‘Kurum’. Shpërthimi i llavës ka djegur metalurgun 50-vjeçar Hyqmet Doka, me banim në lagjen “5 maji” në Elbasan, i cili ndodhet në spital në Tiranë për një shërbim më të specializuar. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10.30 në repartin e shkrirjes në Uzinën e Prodhimit të Çeliqeve që administrohet nga firma turke ‘Kurum’. Metalurgu 50-vjeçar ka qenë duke punuar pranë furrës së shkrirjes dhe në momentin e derdhjes së llavës në kovë ka ndodhur një shpërthim duke e djegur atë në pjesë të ndryshme të trupit. Punëtori i djegur është dërguar menjëherë në spitalin e Elbasanit, por, pasi ka marrë ndihmën e parë dhe duke parë gjendjen e tij të rënduar, mjekët e kanë nisur për kurim më të specializuar për në Tiranë. Sipas mjekëve, metalurgu kishte pësuar djegie të shkallës së dytë e të tretë në pjesë të ndryshme të trupit. Në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor i cili konstatoi se djegia ka ndodhur për shkak të shpërthimit të llavës në furrën e shkrirjes së çelikut. Ende nuk bëhet e ditur se cilat ishin arsyet e shpërthimit të llavës dhe se në çfarë rrethanash është djegur punëtori. Ekzistojnë dy versione: ai i mosrespektimit të rregullave teknike në punë të metalurgut ose prania e ujit në kovën e derdhjes së çelikut. Pas shpërthimit të ndodhur disa vjet më parë, ‘Kurum’ mori masa të rrepta të sigurimit teknik në punë duke vendosur edhe mbrojtëse para furrave, e megjithatë sërish llava shkaktoi djegien e punëtorit të radhës.

Por ky nuk është rasti i vetëm në metalurgjik. Kështu, dy vjet më parë, si pasojë e një shpërthimi kanë humbur jetën 2 metalurgë dhe janë plagosur 10 të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në kohën e shkrirjes së llavës brenda furrës. Një eksplozion i tepër i fuqishëm është dëgjuar brenda furrës, e cila ka shpërthyer duke bërë thërrime pjesët e kupolës mbrojtëse. Më pas llava është shpërndarë gjithandej. Shpërthimi ka shkaktuar panik dhe frikë në uzinë dhe punëtorët janë terrorizuar. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë shokëve të dëmtuar. Për pasojë, është gjetur i karbonizuar nga llava metalurgu Xhevit Nergjoni 54 vjeç. Në gjendje kritike metalurgu Veli Jahja 54 vjeç, i cili humbi jetën pak kohë më pas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›