Dosja “Partizani” – Kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese, GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës dhe Malltezit

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Erjon Çela, ka rrëzuar kërkesën e paraqitur nga avokatët e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për përjashtimin e trupës gjykuese që po shqyrton dosjen “Partizani”.
Mbrojtja pretendoi se trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, nuk mund të garantojnë paanshmëri dhe pavarësi, ku sipas tyre, janë nën vëzhgim dhe mbikëqyrje nga SPAK, organ që është palë në procesin penal ndaj Berishës dhe Malltezit.
Më herët, vetë GJKKO ka reaguar ndaj akuzave publike të Sali Berishës, i cili pretendoi ndërhyrje nga ana e kreut të SPAK, Altin Dumani, në vendimmarrjen gjyqësore lidhur me këtë çështje. Gjykata i ka përgënjeshtruar deklaratat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara, dhe duke mohuar çdo përplasje mes gjyqtarëve dhe organit të akuzës.
Edhe gjyqtarja Elsa Ulliri kërkoi më herët dorëheqjen nga gjykimi i kësaj dosje me argumentin se kishte konflikt interesi për shkak të lidhjes familjare me deputeten e PD-së, Andia Ulliri. Megjithatë kjo kërkesë edhe rrëzuar nga GJKKO, duke mos pranuar dorëheqjen e gjyqtares.
Seanca u shty për në datën 15 shtator, pas një kërkese të paraqitur nga avokati i një prej shoqërive nën hetim, i cili kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me materialet e dosjes.
Ish-kryeministri Berisha ndodhet në masën “detyrim paraqitke” pasi akuzohet se lejoi një zinxhir institucionesh, që të shkelnin ligjin duke favorizuar dhëndrin e tij për privatizimin e ish kompleksit sportiv Partizani.
Nën hetim për këtë çështje është edhe dhëndri I tij, Jamarbër Malltezi, i cili është gjithashtu i pandehur për “korrupsion pasiv” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Gjithashtu për dosjen “Partizani” po gjykohen edhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja si dhe financierja Andia Pustina.
/rtsh.al/