E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dosja “Partizani”, Berisha: SPAK organizatë kriminale, do të përfundojnë në koshin e plehrave

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që e la nën masën “Detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”.

Berisha  qëndroi për rreth 20 minuta në ambientet e SPAK. Ashtu si herën e kaluar (datë 6 janar), mbështetës të ish-kryeministrit janë mbledhur për të protestuar para SPAK.

Në dalje të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, Berisha vijoi akuzat ndaj SPAK.

“Shikoni çfarë turpi janë, e kanë rrethuar me policë, çfarë frikacakësh. Ata që kanë kryer krime, ata kanë gjithmonë frikë. Këtu në dalje po ua lexoj pak shënimin, kartolinën e mëngjesit që u dërgova krerëve të organizatës kriminale “Skrapi i partisë”.

Organizata kriminale e “Skrapit të partisë”, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë. Pra, do të përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë dhe historisë”, thekson Berisha.

Berisha gjatë fjalës së tij, u shpreh se fitorja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili merr detyrën sot në Uashington, është edhe fundi i kohës së Xhorxh Sorosit.

“Koha e Xhorxh Sorosit mori goditje fatale dhe sot inaugurohet presidenti i ri i SHBA, Donald Trump.

Berisha pati akuza edhe edhe për ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, duke kujtuar dosjen “Toyota Yaris”, ndërsa tha se SPAK po fle mbi dosjet, që i ai i cilëson “si dosje të krimit”.

“Unë kam shumë të tjera, por do mbarojmë me Ballën njëherë dhe pastaj do t’u kthehemi me radhë dhe do t’u faktoj se çfarë organizatë e rrezikshme për Shqipërinë dhe shqiptarët punon në këtë institucion. Ju kisha premtuar kodin e Taulant Ballës. Ju garantoj se do t’jua sjell”, tha Berisha.

“Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë atyre burrave dhe grave që punojnë këtu me ndershmëri dhe zbatojnë ligjin, për t’i garantuar se ata do kenë respektin e palëkundur të qeverisë së ardhshme, por të distancohen dhe të denoncojnë me të gjitha mënyrat veprimtarinë kriminale të Altin Lalës, të ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja, të Enkelejda Fetahut. E morët vesh apo jo, që kjo Millonai, kjo i mbyllte dosjet gjykatës kriminale Fetahu dhe të kriminelëve të tjerë, se nuk janë vetëm këta”, shtoi Berisha.

“Ndaj dhe thirrja ime është të distancohen, se këtu ka djem të ndershëm, vajza të ndershme, në prokurori, në OPGJ, që dallojnë si nata me ditën me këta që përmenda”, përfundoi Berisha.

Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit.

Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›