E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Xhuvani”, përplasje mes Ina Ramës e Halimit për masën ndaj prokurorëve

SHKRUAN: Leonard Bakillari 24-12-2011 11:36

Pas inspektimit për dënimin me 2 vjet burg të djalit të Luiza Xhuvanit, ministri Eduart Halimi ka kërkuar masë disiplinore për prokurorin e çështjes dhe kreun e prokurorisë së Tiranës. Prokuroria e Përgjithshme: Halimi, presion të hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë

Tiranë Dosja “Xhuvani” ka përplasur Prokurorinë e Përgjithshme me Ministrinë e Drejtësisë gjatë ditës së djeshme. Raporti i inspektimit dhe kërkesa e ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, për masë disiplinore ndaj prokurorit të çështjes dhe drejtuesit të prokurorisë ka sjellë reagimin e ashpër të organit qendror të akuzës. Në një deklaratë të shpërndarë mbrëmjen e djeshme, Prokuroria e Përgjithshme e ka cilësuar si presion të hapur të ministrit të Drejtësisë kërkesën për masë disiplinore ndaj dy prokurorëve. “Është e pashpjegueshme që një titullar politik të ndërhyjë e të deklarohet pa u ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit. Ministri i Drejtësisë nuk është pjesë e gjykimit dhe për vendimin e një gjykate mund të shprehet vetëm një gjykatë e shkallës më të lartë”- ka deklaruar dje Prokuroria e Përgjithshme, në përgjigje të deklaratës së Ministrit të Drejtësisë. Lufta e deklaratave, që mund të përkthehet tashmë si një përplasje institucionale prokurori-ekzekutiv, ka marrë shkas nga një inspektim i ministrit të Drejtësisë për procesin hetimor dhe atë të gjykimit të djalit të deputetes socialiste Luiza Xhuvani, i cili u dënua me dy vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme. Kjo akuzë dhe masa e dënimit që prokuroria ka kërkuar për këtë të pandehur është cilësuar nga ministri i Drejtësisë si favorizim i akuzës kundrejt këtij të pandehuri. Në letrat që i dërgoi dje Prokurores së Përgjithshme dhe Presidentit të Republikës, ministri i Drejtësisë ka kërkuar që të ushtrojnë autoritetin dhe kompetencat e tyre për inicimin e procedimit disiplinor ndaj prokurorit të çështjes dhe drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Por kjo kërkesë është cilësuar si një ndërhyrje e rëndë e një titullari politik në pavarësinë e Prokurorisë dhe Gjykatës. “Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe në rastin konkret presion i hapur ndaj gjykatës dhe prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim. Çështja ndaj shtetasit Kostandin Xhuvani është ende në gjykim, pasi është në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, ndaj është e pashpjegueshme që një titullar politik të ndërhyjë e të deklarohet pa u ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit. Ministri i Drejtësisë nuk është pjesë e gjykimit dhe për vendimin e një gjykate mund të shprehet vetëm një gjykatë e shkallës më të lartë”- tha dje Prokuroria e Përgjithshme. Por disa orë para deklaratës së Prokurorisë, ministri Halimi tha se kjo kërkesë mbështetet në Kushtetutë dhe ligjet që parashikojnë politikat penale në raste të tilla, duke theksuar se siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë absolutisht parimet më të rëndësishme, të cilat duhet të sigurojnë sundimin e ligjit në vend. Barazia e njëjtë para ligjit për të gjitha subjektet, dhe ndjekja e së njëjtës politikë penale, janë parime fondamentale të parashikuara shprehimisht si themele të Kushtetutës. Por kjo pjesë e deklaratës së ministrit Halimi është kundërshtuar nga prokuroria, me argumentin se raporti nuk i është referuar dispozitës konkrete për të cilën është akuzuar Kostandin Xhuvani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›