E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e argjendarit, gjykata liron 27-vjeçarin kosovar

Mungesa e provave ka nxjerrë në liri Nexhat Mulajn, i identifikuar nga një dëshmitar si autori i vrasjes së Rrapo Sinanajt. Gjykata: Prokuroria nuk solli asnjë provë bindëse

Tiranë Pas dy muajsh në qeli, Gjykata e Tiranës ka liruar dje 27-vjeçarin kosovar Nexhat Mulaj, i arrestuar për vrasjen e pronarit të argjendarisë, Rrapo Sinanaj, ngjarje e ndodhur më 22 tetor në rrugën “Siri Kodra”. Vendimi është dhënë dje nga Gjykata e Tiranës, e cila ka argumentuar se organi i akuzës nuk ka paraqitur asnjë provë bindëse për mbajtjen në qeli të 27-vjeçarit, i cili është identifikuar nga një dëshmitar si autori i vrasjes së pronarit të argjendarisë gjatë një tentative grabitje. Ditën e djeshme avokati mbrojtës i 27-vjeçarit kosovar ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e masës së sigurimit “arrest me burg” për Nexhat Mulajn. Më parë gjykata kishte vendosur dy herë arrest me afat 30-ditor ndaj Mulajt, duke i dhënë kështu kohë prokurorisë për mbledhjen e provave që do të akuzonin 27-vjeçarin si autor të vrasjes. Pas dy muajsh, organi i akuzës nuk ka mundur të sigurojë asnjë provë të re që do të implikonte Mulajn në ngjarjen e rëndë dhe për këtë arsye gjykata ka vendosur lirimin e tij dhe hetimin në gjendje të lire. Nexhat Mulaj, i cili ishte i punësuar nga një kompani kosovare e kontraktuar për shtrimin e kabllove të internetit në vend, u arrestua një javë pas ngjarjes së rëndë, ku në tentativë grabitjeje mbeti i vrarë pronari i argjendarisë, Rrapo Sinanaj. Një javë pas vrasjes, policia me urdhër të prokurorisë kreu arrestimin e 27-vjeçarit të dyshuar, i cili banonte me qira në zonën ku ndodhi vrasja. Prova e vetme për arrestimin e tij ishte dëshmia e një personi që ndodhej vetëm 20 metra larg argjendarisë ku ndodhi krimi. Dëshmitari ka identifikuar 27-vjeçarin kosovar si personin që doli nga argjendaria menjëherë pasi u dëgjua një e shtënë arme. Madje, ai ka treguar edhe detaje, duke thënë se personi i dyshuar menjëherë sapo doli nga dera e argjendarisë ka hequr nga fytyra një shami që e përdori në formën e maskës, ndërsa armën tip pistoletë e ka futur në brez. Pas arrestimit, kosovari Nexhat Mulaj ngriti alibinë se ditën e ngjarjes ai ka qenë bashkë me skuadrën e tij të punës në qytetin e Lushnjës. Sipas dëshmisë, ai ka deklaruar se në Tiranë është kthyer rreth orës 17:00 të datës 22 tetor, ndërsa vrasja ka ndodhur rreth orës 17:20. Për të verifikuar alibinë e tij, policia ka marrë në pyetje drejtuesit e kompanisë për të cilën punonte i dyshuari, të cilët gjithashtu kanë konfirmuar se brigada ku bënte pjesë 27-vjeçari ka qenë me punë në qytetin e Lushnjës. Nga verifikimi i antenave celulare nuk mund të jepen të dhëna të sakta për vendndodhjen e të dyshuarit në orën 17:20 të datës 22 tetor. Për këto arsye Gjykata e Tiranës vendosi të lirojë dje nga qelia të dyshuarin, pasi nuk ka prova të mjaftueshme për mbajtjen e tij në burg. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›