E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol makinave të dy drejtuesve të Policisë, në pranga 5 persona

Një prej mjeteve të drejtuesve të Policisë, që i është vënë tritol

SARANDE – Policia e Sarandës organizoi mëngjesin e djeshëm një operacion duke çuar në pranga pesë persona si autorë të një sërë veprash të rënda. Në sajë të metodave speciale të hetimit rezultoi se ata janë autorë të vënies së lëndës eksplozive të mjetit të shefit të krimeve të Sarandës, të granatës në stadiumin e qytetit, si dhe të dhjetëra grabitjeve. Policia tha se kjo është vijimësi e operacionit Fundvit, ku në pranga pak ditë më parë ra një 14-vjeçar dhe u shpallën katër të tjerë në kërkim. Sipas Policisë, të arrestuarit janë Sentjon Lame, 24 vjeç, Y. K. 17 vjeç, Sildjon Sulejmani, 20 vjeç, O. A., 16 vjeç si dhe 15- vjeçari me inicialet K. R., të gjithë banorë të Sarandës. Zanafilla e këtij grupi kriminal nis në vitin 2009, kur në Sarandë u shënuan dhjetëra grabitje biznesesh, banesash e makinash. Ndër to është grabitja e dyqanit Optica tek 15-katëshi, grabitja me armë e familjes Shalari apo e biznesmenit Kujtim Llanaj, vendosja e një granate në stadiumin e Sarandës. Në fillim të vitit 2010, Policia e Sarandës, nën drejtimin e shefit të krimeve, Ilir Zhupa, organizon një operacion duke arrestuar 7 pjesëtarë të bandës. Në atë kohë atyre iu faturuan rreth 20 grabitje. Por, në nëntor 2010, automjeti i atij që i arrestoi, Ilir Zhupës, shpërtheu pas vendosjes së një sasie tritoli. Në janar 2011 ata dalin nga burgu. Pak muaj më pas, më 9 maj 2011, në Sarandë shpërthen dhe makina e Aleksandër Lilos, shef i grupit të gatshëm, ndërkohë që çdo natë u regjistruan grabitje makinash, motorësh, biznesesh e banesash. Të gjitha këto krime policia ua faturon pjesëtarëve të grupit famëkeq kriminal B13. Veç të tjerave, sipas Policisë, të arrestuarit e djeshëm janë autorë edhe të vendosjes së tritolit te pub-i i hotel Butrintit. Në kuadër të këtij grupi janë edhe 14 vjeçari E. E., i arrestuar nga policia pak ditë më parë, si dhe Lisjen Kazo, Igli Kazo, Elton Abazi, Fatjon Abazi dhe Jurgen Ruçi, të cilët janë shpallur në kërkim policor, bëri të ditur dje Policia.  sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›