E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e spiunit, ja çfarë ka në çantë një James Bond

Këto ditë po flitet shumë për spiunazhin ndërkombëtar veçanërisht atë rus, për shkak të zbulimit të prangosjes nga ana e amerikanëve të disa personave që akuzohen për spiunazh. Që këtu lind pyetja, po vallë çfarë mund të ketë në çantën e një spiuni? Ja disa hamendësime:

Laptopi

Sipas hetimit që FBI u bëri rusëve të akuzuar për spiunazh, këta të fundit komunikonin me njëri-tjetrin në më të shumtën e rasteve përmes një rrjeti privat dhe laptopeve me të cilët shkëmbenin të dhënat dhe informacionet. Personazhi kryesor dhe e shumëpërfolura Anna Chapman çdo ditë shkonte në një lokal dhe pasi nxirrte laptopin e saj nga çanta punonte me të për rreth dy orë. Pranë saj ndodhej gjithmonë një tjetër agjent, në një mikrobus për të marrë të dhënat e nisura prej saj.

Pasaporta e rreme

Pjesa më e madhe e agjentëve të akuzuar kanë vepruar me pasaporta të falsifikuara. Njëri prej tyre kishte një pasaportë irlandeze false.

Celular me mjete antipërgjimi

Chapman shkonte shpesh në një dyqan të posaçëm pajisjesh elektronike në Bruklin për të blerë telefona celularë që kryesisht i përdorte për një kohë shumë të shkurtër, në mënyrë që të sigurohej se nuk i përgjoheshin. Më vonë detektivët e FBI-së zbuluan se ajo i kishte dhënë asistentes së dyqanit emrin Irina dhe një adresë të rreme banimi.

Para të thata

Për shërbime të ndryshme, pagesat zakonisht bëheshin dorazi. Paratë kesh mbështilleshin brenda gazetave dhe “hidheshin” në vende të ndryshme publike ku kishte shumë njerëz për të mos rënë në sy dhe për të penguar survejimin e mundshëm. Zakonisht bëhej fjalë për pagesa 5000 euroshe në prerje të mëdha.

Identitetet false

Në një kuti sigurie të kapur nga agjentët e FBI-së në një bankë u zbuluan shumë dokumente identifikimi të falsifikuara që përdoreshin nga anëtarët e grupit. Të dhënat e tyre ishin të gjitha të falsifikuara dhe nuk përkonin me asnjë lloj gjendjeje civile. Ndërsa një pjesë tjetër ishin dokumente të njerëzve të vdekur.

Programe kompjuteri për të zbërthyer kode

Spiunët e akuzuar përdornin steganografi, një metodë kodesh në të cilën tekstet shndërrohen në pamje pa ndonjë lidhje të veçantë, por që kishin kuptim për marrësin që në këtë rast kishte edhe kodin. Në këtë mënyrë çdolloj informacioni i koduar mund të jepej pa asnjë problem.

Radiograme dhe valët e shkurtra radio

Radiogramet, të dhëna të koduara të dërguara përmes një radiotransmetuesi që mund të priten vetëm nga një marrës që ka të njëjtën frekuencë, pra që është në të njëjtën valë. Valët e shkurtra të radios që mund të japin dhe marrin këto lloj informacionesh janë gjetur në Siatëll në shtëpinë e njërit prej agjentëve të akuzuar.

Biletat e avionëve

Të akuzuarit për spiunazh bënin fluturime nga Shtetet e Bashkuara për në Moskë përmes Italisë.

Punë për mbulime

Cinthua Murfi kishte një punë si financiere me një të ardhur vjetore prej 135 mijë dollarësh, ndërsa Anna Chapman ishte pronarja e një firme pronash në Manhatan me një vlerë prej 2 milionë dollarësh.

Lista e emrave të koduar

Në mesazhet e përgjuara, agjentët e akuzuar përdorin shumë emra të koduar të tillë si “Papagalli” apo “Macja”

Hobitë

Për të krijuar imazhin e njerëzve sa më normalë, agjentët shfaqeshin të angazhuar edhe me lloje të ndryshme hobish si kopshtaria. Kjo sipas rrëfimeve të fqinjëve. Madje disa nga çiftet ishin aq të përkushtuar pas kopshtarisë sa kalonin gjatë fundjavave orë të tëra duke mbjellë lule dhe duke u kujdesur për to.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›