Dosja hetirmore e 21 Janarit, ja dëshmitë e gardistëve
Tiranë Hetimet për ngjarjen e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dhjetëra policë e gardistë, kanë mundur të provojnë vetëm akuzën ndaj të dyshuarit major, Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit. Pavarësisht këtij fakti, me kërkesë të Prokurorisë në qeli qëndrojnë edhe tre efektivë të Gardës së Republikës, si të dyshuar për vrasje. Dosja e Prokurorisë tregon se gardistët e quajtur si “grupi i zjarrit” kanë qëlluar më 21 janar, pasi ekspertiza ka vërtetuar se armët e përdorura prej tyre janë shkrehur ditën e demonstratës. Por ky argument është rrëzuar nga Gjykata, e cila i ka lënë si detyrë prokurorisë të ekspertojë predhën e gjendur në trupin e Aleks Nikës, për të parë nëse është qitur ose jo nga armët e gardistëve të arrestuar. Të gjithë elementët e tjerë të dosjes, sipas gjykatës, nuk kanë qenë të mjaftueshëm për t’i mbajtur ata në qeli pa afat, ashtu sikundër pesë prokurorët e çështjes kanë kërkuar. Vetë gardistët janë mbrojtur, duke thënë se kanë qëlluar në ajër. Ky fakt provohet edhe nga deklarimet e tyre në dosjen, një pjesë e të cilës zbardhet sot nga “Mapo”
Pjesë nga dosja
Sipas planit të masave të përpiluar nga Njësia Speciale e Gardës së Republikës dhe miratuar nga komanda e Gardës, një grup i përbërë nga kapiten Agron Malaj, komandant grupi, toger Spartak Zilja, nënoficer Meleq Zajmi, Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj dhe Sadik Çela do të ishte në gatishmëri për hapjen e zjarrit, në rast të çarjes së kordonëve në Njësinë e Dytë krahu i djathtë, hyrja e ministrive, krahu i majtë Hotel “Rogner”. Ky grup ishte nën drejtimin e personit nën hetim Agron Malaj. Grupi është dislokuar në pjesën veriore të oborrit të Kryeministrisë, rreth orës 14:20 të datës 21.01.2011. Pas urdhrit të dhënë nga komandanti i Njësisë, Alfred Ahmetcenaj, dy prej pjesëtarëve të grupit: Spartak Zilja dhe Meleq Zaimi ju është dhënë detyrë që të dislokohen në anën jugore të Kryeministrisë.
Në dinamikë të ngjarjes efektivët e Gardës janë goditur me sende të forta nga ana e protestuesve, që ndodheshin në anën veriore të Kryeministrisë, jashtë gardhit rrethues. Gjithashtu është qëlluar me gurë nga ana perëndimore e Kryeministrisë. Rreth orës 16:00 është qëlluar me armë në drejtim të demonstruesve nga efektivët e Gardës: Agim Llupo, Agron Malaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj. Këta shtetas kanë qenë nën komandën e personit nën hetimi, Alfred Ahmetcenaj, i cili ka dhënë urdhra atë ditë.
Nga akti i ekspertimit balistik, krahasues me nr.1022, datë 08.02.2011, rezulton se arma me nr. 0057394 ka qitur 18 gëzhoja të kalibrit 9mm nga 131 gëzhoja, të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas marrjes në dorëzim të armatimit, kjo armë është marrë prej shtetasit Mark Nikolli. Në deklarimin e tij të datës 07.02.20011, shtetasi Mark Nikolli shpjegon se ka qitur vetëm 5-6 fishekë tek e tek, në një kohë që nga administrimi i aktit tekniko-balistik rezulton se arma e këtij shtetasi ka qitur një numër më të madh fishekësh.
Arma me nr. 0057383 ka qitur 10 gëzhoja të kalibrit 9 mm nga 131 gëzhoja, të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas marrjes në dorëzim të armatimit, kjo armë është marrë prej personit nën hetim, Sadik Çela. Në deklarimet e tij të datës 07.02.20011, shtetasi Sadik Çela shpjegon se ka qitur vetëm 4 fishekë tek e tek, në një kohë që nga administrimi i aktit tekniko-balistik rezulton se arma e këtij shtetasi ka qitur numër më të madh fishekësh. Arma me nr. 0057402 ka qitur 46 gëzhoja të kalibrit 9 mm nga 131 gëzhoja, të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas marrjes në dorëzim të armatimit, kjo armë është marrë nga personi nën hetim Gazmend Ahmetaj. Në deklarimet e tij të datës 07.02.20011, ky shtetas thotë se ka qitur vetëm një kreher automatiku, në një kohë që nga administrimi i aktit tekniko-balistik rezulton se arma e këtij shtetasi ka qitur numër më të madh fishekësh.
Gjatë deklarimeve të tyre, të datës 07 shkurt, shtetasit Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela, Mark Nikolli dhe Agron Malaj kanë qenë të vendosur pikërisht në vendin nga ku rezulton të jetë qëlluar me armë në drejtim të protestuesve.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë evidentuar edhe gëzhojat që janë gjetur pikërisht në vendin ku kanë qenë shtetasit e mësipërm, si dhe majori Agim Llupo. Edhe nga filmimet e bëra nga televizionet rezulton se viktimat në momentin që janë qëlluar kanë qenë jashtë objektivit (jashtë kangjellave ose gardhit rrethues). Ziver Veizi ka qenë në trotuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim apo akt dhune. Viktima Hekuran Deda ka qenë sëbashku me deklaruesit F.M. dhe H.P, pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shihnin demonstratën. Viktima Faik Myrto ka qenë në bulevard, në afërsi të kullave Binjake, aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika. Të gjithë këta persona kanë qenë shumë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë dhe në momentin e vrasjes së tyre, këta shtetas nuk kanë bërë asnjë sulm ose akt dhune ndaj efektivëve të Gardës. Edhe të plagosurit kanë qenë jashtë rrethimit dhe janë qëlluar kur nuk ka pasur sulm. Vlen për t’u theksuar fakti se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, çka tregon se përdorimi i armëve të zjarrit në rastin konkret është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës. Qytetarëve u është marrë jetë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu rëndë nenin 2 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve është kryer në kundërshtim të hapur të nenit 19 dhe 20 të Kodit Penal. Përdorimi i armëve të zjarrit është kryer në kundërshtim edhe me ligjin “Për armët e zjarrit”. Neni 2 i këtij ligji përcakton qartë se përdoret arma e zjarrit për të mbrojtur jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, me kusht që karakteri mbrojtës të jetë në propocion me rrezikshmërinë e sulmit, ose për të përballuar një rrezik real dhe të çastit që e kërcënon atë, një person tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë dhe i pashmangshëm me mënyra të tjera, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se dëmi i zmbrapsur.
Në rastin konkret, nuk ka pasur sulm pasi personat që kanë qenë në bulevard dhe nuk kanë kryer asnjë veprim të dhunshëm. Nga hetimet rezulton që nga protestuesit nuk janë përdorur armë.