E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Si u vra demonstruesi Ziver Veizi

Tiranë- Sipas Prokurorisë bëhet me dije, se deri në këtë fazë të hetimit rezulton se janë ekzaminuar dy, prej tri predhave të gjendura në trupat e viktimave, konkretisht predhat e gjendura te viktimat Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj. “Sipas aktit të ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me nr.975, datë 07.02.2011, është arritur në konkluzionin se “...predha e gjetur te viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul “244” dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike “244””- thuhet në dosjen e Prokurorisë. Veprimet hetimore të mëtejshme kanë vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim Agim Llupo, me detyrë shef i Shtabit (zv/komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës. “Në këto rrethana, prokurori e ka parë të arsyeshme që të urdhërojë ‘ndalimin’ e shtetasit të dyshuar Agim Llupo, ndalim i cili është ekzekutuar nga Policia Gjyqësore. Meqë ka dyshime të bazuara në prova ligjore se shtetasi Agim Llupo ka përgjegjësi penale në lidhje me ardhjen e pasojës kriminale, të vdekjes së shtetasit Ziver Veizi, gjykata çmon se “ndalimi” ndaj shtetasit nën hetim, Agim Llupo, duhet të vleftësohet i ligjshëm” - thuhet në vendimin e gjykatës, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj majorit Agim Llupo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›