E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosje voluminoze për ambasadorin Ahmet Shala

KOSOVE-Jo më pak se 44 institucione vendore e ndërkombëtare që funksionojnë në Kosovë, kanë në sirtarët e tyre një dosje prej më shumë se 2000 faqesh, ku protagonisti kryesor i saj është Ahmet Shala, ambasador aktual i Kosovës në Japoni. 

Në dosje zënë vend edhe kryetari aktual i komunës së Suharekës Blerim Kuçi, por edhe zyrtarë të tjerë që kanë qenë pjesë e pazarit të ndërmarrjes Bujqësore Industriale “Suhareka”, po në këtë qytet. 

Njëra prej dosjeve më voluminoze në vend ka arritur të bjerë edhe në duar të kryeprokurorëve jashtë shtetit të Kosovës. Ajo është dërguar në gjykatat në Itali, Angli, Francë, Gjermani, por edhe disa prokurorëve të shteteve tjera, meqë shtetasit e tyre shërbejnë si punëtorë të misionit ndërkombëtar të sundimit të ligjit EULEX. 

Ish- punëtorë të NBI “Suhareka” akuzojnë rëndë ish- drejtorin e privatizimit Ahmet Shala për manipulime e keqpërdorime, sipas të cilëve janë bërë gjatë procesit të privatizimit të kësaj ndërmarrje.
“Suhareka” ka në pronësi më shumë se 1600 hektarë tokë, si dhe bodrumin e verës, i cili gjendet në mes të qytetit. 

(m.s/Zëri/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›