Basha, seanca e parë në 30 janar
Tiranë- Seanca e parë për çështjen “Durrës-Kukës”, do të zhvillohet në datën 30 janar të vitit që vjen. Vendimi për dosjen e bujshme, ku i akuzuar është edhe ish ministri i Transportit, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, është marrë sot nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë.
Ky është një tjetër hap në drejtim të shqyrtimit të dosjes, pas asaj që u bë pak kohë më parë me hedhjen e shortit për përcaktimin e gjyqtarëve që do të marrin në dorë këtë çështje.
Prokuroria ka bërë tashmë publike, akuzat që rëndojnë mbi ministrin Basha, duke e akuzuar atë për shpërdorim fondesh deri në vlerën 230 milionë euro dhe për pabarazi dhe favorizim në tendera.
Dosjen, pas dorëzimit nga Prokuroria në Gjykatën e Lartë e ka tashmë në dorë pesëshja e gjyqtarëve, që u përcaktuan pas hedhjes së shortit. Relator i saj u përcaktua Spiro Spiro, ndërkohë që gjyqtarë janë Aleksander Muskaj, Irma Bala, Perikli Zaharia dhe Besnik Imeraj. Ministri i Jashtëm Basha akuzohet se në cilësinë e ministrit të Transportit e Punëve publike ka abuzuar me procedurat e përzgjedhjes dhe tenderimit të rrugës Durrës Kukës, konkretosht në aksin Rrëshen-Kalimash.
Reagime pa fund ka pasur nga opozita për këtë cështje, e cila ka kërkuar dorëheqjen e Bashës nga posti aktual dhe paraqitjen e tij para drejtësisë. Pas kësaj, ka reaguar vetë kryeministri Sali Berisha, i cili përmes zëdhënëses së tij ka deklaruar hapur mbëstetjen për Bashën, duke garantuar se cdo vendim ka marrë më parë miratimin e Këshillit të Ministrave.