Dosjet, PD ankohet në Strasburg, gjykatësit, konflikt interesi
Mazhoranca qeverisëse do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për ligjin e lustracionit. E djathta në pushtet do të kërkojë referendum mbarëpopullor për këtë çështje, duke bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga nisma për ligjin e ish-sigurimsave të shtetit pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë. Deputetja demokrate Mesila Doda njoftoi dje se ligji i ri për të hapur dosjet do të jetë së shpejti në Parlament dhe akuzoi PS-në për presion të vazhdueshëm mbi Kushtetuesen. Ajo argumentoi: “Së pari, paraqitja e një ligji të ri në Parlament për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Së dyti, - tha Doda, - dërgimi i këtij ligji në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”. Deputetja demokrate bëri me dije gjithashtu: “Së bashku me kolegë të tjerë nuk do ngurrojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë çështje madhore”. Ajo pohoi: “Do ta marrim këtë nismë, në mënyrë që xhelatët të mos qëndrojnë më në pushtet dhe që Shqipëria të ndahet njëherë e përgjithmonë nga e kaluara e saj komuniste”. Për mazhorancën vendimi unanim për të shpallur antikushtetues ligjin e lustracionit vjen nga një trupë gjykuese tërësisht në konflikt interesi, e cila prekej prej tij. “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit, janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ’89. Janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit në këtë vend”, - theksoi znj. Doda.
“Dosjet”, ish-të përndjekurit: Do të nisim protestat
Edhe të përndjekurit politikë kërkojnë hapjen e dosjeve, madje paralajmërojnë dhe protesta. “Është koha të hapen dosjet, pa përjashtim, për të gjithë administratën, politikanët, që nga nëpunësi i thjeshtë e deri tek kryetari i shtetit. Çdo heshtje ndaj hapesë së dosjeve do të na detyrojë të nisim protestat demokratike për të pastruar politikën nga e kaluara e diktaturës”, - tha kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni. Gjykata Kushtetuese pati pezulluar ligjin e spiunëve deri në një vendim të Komisionit të Venecias. Sipas këtij institucioni ndërkombëtar, ligji në fjalë ishte antikushtetues. Të njëjtin verdikt ka dhënë në unanimitet, por disa muaj më vonë edhe Kushtetuesja. Gjykata Kushtetuese, me një vendim jopublik, në unanimitet të plotë i dha një tjetër goditje qeverisë për ligjin e lustracionit. Të 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u thanë po pretendimeve të PS-së se ky ligj ishte jo në frymën e Kushtetutës dhe shkelte të drejtat e njeriut.
Në këtë mënyrë, brenda një periudhe 10-ditore, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese votuan kundër qeverisë për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë dhe për ligjin e dosjeve. Për këtë të fundit, vendimi ishte i pritshëm, duke marrë në konsideratë përplasjet që lindën mes vetë anëtarëve të gjykatës dhe qeverisë. Rreth një vit më parë, kur edhe nisi shqyrtimi në seancë plenare i kërkesës së PS-së për rrëzimin e ligjit të lustracionit, ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Vikor Gumi, i cili mbrojti në gjykatë ligjin e dosjeve, akuzoi gjatë seancës vetë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, si i prekur nga ky ligj. Ndërkohë, 4 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryetari Vladimir Kristo, i emëruar nga mazhoranca, ish-kryetari Fehmi Abdiu dhe gjyqtarët, Kujtim Puto dhe Petrit Plloci, janë përfolur në media si të prekur nga ligji i lustracionit. Me miratimin e këtij ligji nga Parlamenti, mazhoranca shpresonte se të gjithë personat e prekur nga ky ligj do të jepnin dorëheqjen nga funksionet shtetërore dhe veçanërisht nga sistemi i drejtësisë. Ky ligj i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese duket se veproi vetëm ndaj prokurorit të dosjes “Gërdeci” dhe Durrës - Kukës, Zamir Shtylla, që dha dorëheqjen ditën e miratimit të tij në Parlament.