Raporti i Freedom House u hartua nga Ditmir Bushati
Raporti i organizatës Freedom House për Shqipërinë, i cili u publikua disa javë më parë, është shkruar nga deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati. Vetë organizata e njohur ka publikuar emrin e tij në faqen e saj të internetit, ai analistin e saj për Shqipërinë. Bushati, sot i zgjedhur si deputet, ka drejtuar një organizatë të shoqërisë civile, por ai ka vijuar të kryejë të njëjtën punë, edhe pse ka hyrë në politikë. Të dhënat për Shqipërinë janë raportuar nga ai, të cilat më pas u morën nga opozita për të lëshuar akuza ndaj qeverisë. Sipas raportit më të fundit të Freedom House, Shqipëria ishte në të njëjtat nivele si në vitin e kaluar. Opozita sulmoi qeverinë para disa javësh me pretendimin se raporti i Freedom House për Shqipërinë ishte negativ. Ndërkaq, opozita nuk u ndie lidhur me akuzat e qeverisë, sipas të cilave, personazhe të njohura pranë kryetarit të PS-së kanë hartuar raportin për Shqipërinë. Ditmir Bushati është akuzuar edhe më parë për veprim të ngjashëm, pasi organizata që ai ka drejtuar, ka formuluar të dhëna për të inkurajuar Brukselin për të penguar liberalizimin e vizave me Shqipërinë.