E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese shqyrton rastin e Gjakovës

Gjykata Kushtetuese do të mbajë, javën e ardhshme, një seancë dëgjimore lidhur me padinë e Aleancës Kosova e Re (AKR), e cila ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Gjakovës, për shkak të keqpërdorimeve.

Gjykata Kushtetuese ka ftuar në një seancë dëgjimore, më 9 shkurt, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) si dhe palët e përfshira në lëndën që do të shqyrtohet, AAK-në dhe AKR-në, ka bërë të ditur kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.

AKR-ja ka kërkuar që të përsëriten zgjedhjet për kryetar të Gjakovës, ose të rinumërohen votat, pasi kjo parti pretendon se ka pasur shumë parregullsi.

Fadil Maloku, anëtar i KQZ-së nga AKR-ja, shfaqi besimin se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve edhe në Gjakovë.

Lushta ka thënë se KQZ është e gatshme për të organizuar zgjedhjet e reja për kryetar të Istogut, pasi presidenti Fatmir Sejdiu të caktojë datën e mbajtjes së tyre. Por ajo i ftoi gazetarët që të mos merren me këtë çështje, derisa ish-kryetari i kësaj komune, Fadil Ferati, të varroset

Çështja e Gjilanit nuk është diskutuar fare në mbledhjen e sotme, por Lushta tha se vendimi do të merret “gjatë ditëve të ardhshme”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›