E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi elektoral

Bazuar në rezultatet e balotazhit të përsëritur në Prizren dhe Lipjan, analistët në Prishtinë thonë se elektorati ndëshkoi LDK’në, për shkak të mesazheve jo të qarta, të cilat kjo parti politike i dërgoi në raport me Qeverinë qendrore.

Kështu mendojnë analistët politikë.

Analisti Ilir Deda thotë se ndryshimi kaq i shpejtë në përqindje në rezultatet e votimeve për kryetarë të Prizrenit dhe Lipjanit, vjen si pasojë e dërgimit të dy mesazheve drejtuar elektoratit nga ana e LDK-së.

“LDK’ja është duke e humbur kredibilitetin para elektoratit kosovar, duke marrë parasysh se i çon dy mesazhe, të cilat janë të kundërta njëra me tjetrën. E ky është mesazhi i paqartësisë se a do të mbetet në Qeveri apo do ta braktisë koalicionin qeverisës dhe të hyjë në zgjedhje të reja”, ka thënë Deda, për REL.

Ngjashëm mendon edhe gazetari Bardh Hamzaj. Sipas tij, partitë politike duhet ta kenë një pozicion të qartë në raport edhe me elektoratin, nëse duan t’i mbajnë votat, të cilat i kërkojnë gjatë proceseve zgjedhore.

“Duket se këtu sjellja e dyfishtë e LDK’së gjatë fushatës, duke e luajtur në njërën anë rolin e opozitës dhe rolin e rivalitetit me partnerin e koalicionit qeverisës, si dhe, në anën tjetër, gjatë kësaj kohe u pa se LDK’ja, të paktën për një periudhë aktuale, nuk e ka ndërmend të dalë nga Qeveria - kësaj here u janë hakmarrë LDK’së”, thekson Hamzaj.
Duke marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve lokale, i cili, duke përjashtuar Gjilanin, është i qartë për të gjitha partitë pjesëmarrëse, tani, sipas Bardh Hamzajt, i mbetet LDK’së që të vendosë se a do të jetë pjesë e Qeverisë apo jo.

Marrjen e një vendimi të tillë brenda LDK’së, ai e sheh si mjaft të ndërlikuar, pasi që në LDK, sipas tij, ka dy rryma politike.

“LDK’ja, mendoj se nuk do të ketë shumë zgjedhje në këtë aspekt, për arsye se nga këto zgjedhje ka dalë e përçarë”, tha Hamzaj.

“Është një grup i njerëzve, të cilët kanë menduar gjithmonë se më mirë është të dilet nga Qeveria, ndërkaq që po shihet se ky grupim rreth presidentit Sejdiu, e që supozohet të jetë më i madhi, mendon të vazhdojë me këtë koalicion. Kështu që vendimet e LDK’së do të jenë gjithnjë e më të vështira për vetë LDK’në”, shtoi ai.

Ndërkohë, analisti Ilir Deda thotë se paqartësitë brenda LDK’së mund të zgjidhen nëse kjo parti politike e mban Kuvendin Zgjedhor gjatë kësaj pranvere. Mbajtja në jetë e koalicionit, sipas Dedës, varet tashmë nga LDK’ja.

“LDK’ja, realisht, çdo ditë që mbetet në koalicion, ajo humb në peshë, në imazh edhe në elektorat. LDK-ja duhet të bëjë çmos që ta rizbulojë identitetin e saj, t’i kapërcejë interesat e ngushta të grupeve partiake dhe të shohë se ku do të jetë, pas 20 vjetëve, në skenën politike”, thotë Deda.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›