E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e ministrit, sot gjyqi në Apel për akuzën e Bashës

 

Trazhgim Sokolaj

Qerthulli ligjor në të cilin ka hyrë çështja penale kundër ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i akuzuar për shpërdorim detyre, pritet të marrë drejtim sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Ky institucion do të shqyrtojë ditën e sotme ankesën e Prokurorisë së Përgjithshme kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës, që mbylli hetimet e dosjes “Durrës-Kukës”, duke konsideruar të pavlefshëm çdo veprim të bërë pas datës 6 nëntor 2008, ku përfshihet edhe aktakuza e ngritur ndaj ministrit Basha. Burime zyrtare nga të dy institucionet konfirmuan se Gjykata e Apelit do të fillojë sot shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit kundërshtoi vendimin e dhënë nga gjyqtari i Shkallës së Parë, Sokol Tona, në përpjekje për të ligjëruar hetimet e zhvilluara pas datës 6 nëntor 2008, ku përfshihet edhe ngritja e akuzës penale ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Nëse Apeli rrëzon vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, atëherë alibia më e fortë e avokatëve të Lulzim Bashës dhe zyrtarit tjetër të pandehur në dosje Andi Toma, bie. Ata bojkotuan çdo veprim të Prokurorisë pas datës 6 nëntor 2008, duke argumentuar se kjo datë, sipas Gjykatës së Tiranës ishte fundi i hetimeve të ligjshme për çështjen Durrës-Kukës, ndërsa gjithçka është bërë më pas, e konsideruan antiligjore. Por nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, atëherë verdikti i dhënë nga Sokol Tona më 18 nëntor 2008 merr formë të prerë, duke rrezikuar të shfuqizojë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për ngritjen e akuzës dhe dërgimin e Lulzim Bashës në gjykatë në cilësinë e të pandehurit për shpërdorim detyre. E gjithë kjo situatë e komplikuar duket se ka shkaktuar edhe një mungesë dëshire për të ndërhyrë edhe në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit edhe pse ka kaluar afati ligjor prej dhjetë ditësh nga momenti i depozitimit të dosjes “Basha” më 5 dhjetor 2008, nuk ka caktuar ende datën për seancën e parë të procesit. Gjykata e Lartë ka hedhur shortin duke përcaktuar pesë anëtarët e trupës që do të shqyrtojë dosjen në themel, por edhe pse ka kaluar afati ligjor i dhjetë ditëve, nuk ka vendosur datë për seancën e parë të procesit. Duket se Gjykata e Lartë ka vendosur të presë ecurinë e çështjes në gjykatat e tjera, pasi caktimi i një date për nisjen e procesit mund të konsiderohej juridikisht si aprovim i aktakuzës së ngritur nga Prokuroria ndaj Lulzim Bashës, në një kohë që ky i fundit kundërshtoi duke kërkuar pavlefshmëri absolute në Gjykatën e Tiranës, e cila vendosi në favor të ministrit. Gjyqtarja Fatmira Hajdari, përmes një procesi gjyqësor që shkaktoi reagime dhe konteste të forta nga Prokuroria, vendosi më 15 dhjetor 2008 të konsideronte të pavlefshëm aktin e ngritjes së akuzës ndaj Lulzim Bashës dhe thirrjen e tij në cilësinë e të pandehurit në Prokurorinë e Përgjithshme, madje ajo konstatoi pavlefshmërinë e të gjitha akteve të mëvonshme të dosjes “Durrës-Kukës”. Prokuroria e akuzoi gjyqtaren për njëanshmëri, madje kërkoi përjashtimin e saj, por gjykatësi Altin Abdiu e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Akuza: Basha, shkelje e shpërdorime

Prokuroria pretendon se Lulzim Basha në cilësinë e ministrit të Transporteve dhe në bashkëpunim me ish-shefin Juridik Andi Toma, ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tendera. Sipas Prokurorisë, Basha ka paraqitur të dhëna e rrethana të rreme për tre vendime të Qeverisë lidhur me rrugën Durrës-Kukës, ka caktuar në mënyrë të paligjshme firmën superiore të projektit si dhe ka urdhëruar e firmosur lëvrimin e fondeve, duke faturuar çmimet e materialeve dhe artikujve të përdorur në ndërtimin e rrugës më shumë se dyfishi i çmimeve të tregut. Sipas një akt-ekspertimi të specialistëve të thirrur nga Prokuroria, shpenzimet dhe financimi nga buxheti i shtetit në segmentin Rrëshen-Kalimash ku punon “Bechtel Enka”, janë më shumë se dy herë më të larta se vlerat e segmenteve të tjera të rrugës Durrës-Kukës.         

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›