“Turizmi shqiptar”, përmes penelit të piktores Eneila Vevecka
Nga data 7-17 korrik ’08, në galerinë “Kodra” brenda mjediseve të godinës së re të Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, do të qëndrojë e çelur për pubikun e kryeqytetit ekspozita “Turizmi shqiptar”, me 30 grafika në vaj të piktores së re të talentuar Eniela Vevecka. Siç kuptohet nga vet titulli i ekspozitës, tema e punëve do të jetë turizmi, ose më saktë e thënë, objektet që kanë lidhje me vizitorët, monumentet e kulturës, etj. Në lidhje me këtë, kuratorja e ekspozitës, Merita Toçila, shprehet: “Krijimet Eneielës saj janë impresionuese. Realitetin në të cilin jeton, ajo di ta përcjellë në një mënyrë krejt personale, ngjyrat dhe penelatat përcjellin emocionet e saj dhe arti për të është një mënyrë për të shprehur vetveten. Eshtë vizioni i saj për gjërat, të cilit i jep formën që përcjell kërkimet dhe refleksionet e saj. Kjo duket në tematikën që ajo përzgjedh, (turizmi shqiptar). Qytetet si Tirana, Berati e Kruja dhe trashëgimia jonë kulturore si Apollonia, Ura e tabakëve, etj., vijnë të realizuara me shumë sinqeritet, por edhe me një pjekuri artistike.” Artistja Eniela Vevecka, megjithëse është një piktore e re, ka marrë pjesë në disa ekspozita të rëndësishme e gjithashtu, vlerësimet për krijimet e saj nuk kanë munguar. Një ndër çmimet e fundit është “çmimi i tretë” në Konkursin Kombëtar të Filaterisë.
P.GROSI
Nata kur legjendat u bënë të prekshme
30 vjet pas krijimit të tyre, Whitesnake dhe Def Leppard vizituan për herë të parë Shqipërinë, duke u mahnitur nga publiku shqiptar dhe duke kërkuar falje që nuk kishin ardhur më parë
Kozeta KURTI
“Na falni që na u desh kaq shumë kohë që të vijmë në vendin tuaj”. Disa herë gjatë shfaqjes së Whitesnake në stadiumin “Qemal Stafta”, David Coverdale na kërkoi falje që ai dhe “Gjarpërinjtë e bardhë” nuk kishin ardhur më parë në Shqipëri. Kjo edhe mund të dukej një shprehje standart, nga ato që thuhen sa herë viziton një vend për herë të parë, por nga biseda me anëtarë të grupit pas koncertit, mësuam se David ishte mahnitur vërtet nga publiku shqiptar, deri aty sa për të kënduar një këngë jashtë programi në koncertin e së enjtes së shkuar. “Burn”, kënga nga epoka e ‘Deep Purple’ me të cilën Coverdale dhe të tijët përfunduan paraqitjen e tyre, nuk ishte në listën e këngeve që gjendej kudo në skenë para fillimit të koncertit. “Erdhi tek ne dhe na pyeti nëse mund të luanim ‘Burn’, madje pas saj donte të luanim edhe ‘Bad boys’ por dy këngë aq impenjuese pas 90 minutash shfaqje, ishin të pamundura për ne” – na tregoi basisti Uriah Duffy në orët pas koncertit, duke konfirmuar faktin që David donte ta zgjaste sa më shumë qëndrimin në skenën shqiptare. “Kemi luajtur edhe para 20000 mijë vetash, por nëse ata janë të përgjumur, nuk krahasohen me 4000 veta që nuk pushojnë asnjë çast, siç ishte rasti i publikut shqiptar” – na tha bateristi Chris Frazier. Por megjithë kulminacionin në koncertin e Whitesnake, nata magjike e rock-ut në kryeqytetin shqiptar nisi disa orë më herët. Rreth orës 19:40, pak minuta para orarit të planifikuar, në skenë u ngjit Lance Lopez, një kitarist i ri dhe i padëgjuar për publikun shqiptar, por që per ata pak njerëz që ishin mbledhur në stadium deri në atë orë, ishte një mënyrë e mirë për të nisur mbrëmjen.
Një orë më pas, ishte momenti i shfaqjes së vërtetë. Legjendarët Def Leppard, u ngjitën në skenë, për të dhënë një shfaqje të jashtëzakonshme. Me shumë energji, Joe Elliot dhe të tijët prezantuan për publikun shqiptar me të mirat e hiteve të vjetra, ndërthurur me disa këngë nga “Songs from the sparkle longue”, albumi i hedhur së fundmi në treg prej tyre. Në rreshtat e parë dalloheshin disa fansa të brezit të vjetër të cilët të pajisur me flamuj dhe bluza me logon e Def Leppard, nuk pushuan asnjë çast së brohorituri e keënduari bashkë me grupin që ishte në skenë. Ndërsa shumica e publikut dukej që priste formacionin e Coverdale për të shpenzuar energjitë e tyre. Pas performancës artistikisht perfekte të Def Leppard, filloi pritja... Ndërrimi e akordimi i veglave dhe përshtatja e skenës për performancën e Whitesnake, mori rreth 30 minuta kohë, që për publikun e paduruar u dukën orë të tëra. Rreth orës 22:45, Chris Frazier u pozicionua i pari në bateri, i ndjekur nga të gjithë instrumentistët e tjerë. I fundit në skenë u ngjit Coverdale, dhe me klithmën e përhershme “Are you ready”, ngriti peshë të gjithë të pranishmit. Koncerti u hap me të sapo-publikuarën ‘Best years’, pjesë e diskut të fundit ‘Good to be bad’, për të vazhduar më pas me klasike si ‘Fool for your loving’, ‘Love ain’t no stranger’, ‘Is this love’, ‘Here I go again’ e ‘Still of the night’. Kur ne që kishim në dorë para koncertit listën e këngëve, prisnim mbylljen e tij, notat e ‘Burn’ i vunë flakën atmosferës tashmë jashtëzakonisht të elektrizuar. Më të zjarrtët ishin ata, adoleshentët e viteve ’90, që për hir të së vërtetës, edhe sot me David Coverdale kujtojnë zëvendësuesin energjik të Ian Gillan tek “Deep Purple”, më shumë se liderin romantik të “Whitesnake”. Edhe pse shpresuam që pas “Burn” të dëgjonim të paktën ndonjë version ‘a capella’ të ”Soldier of Fortune”, siç ndodh shpesh nëpër paraqitjet live të “Whitesnake”, Coverdale me të përhershmen “Jini të lumtur, jini te sigurt dhe mos lini asnjeri që t’ju trembë” sinjalizoi mbylljen e natës me të zhurmshme që kryeqyteti shqiptar kishte përjetuar ndonjëherë në kohë paqeje. Pas daljes së Whitesnake nga skena, tingujt e regjistruar të “We wish you well”, nën vargjet “deri kur të takohemi përsëri, ju urojmë të jeni mirë”, i lanë takim publikut shqiptar me Whitesnake, për herën tjeter... Por një herë tjetër, me shumë mundësi nuk do të ketë më. Nuk do të ketë, sepse është një luks i madh për promotorët shqiptarë të sjellin dy herë të njëjtin grup në vendin tonë. Na mbetet t’i jemi mirënjohës atyre që bënë të mundur këtë eksperiencë madhështore, dhe të lutemi që s’do jetë e fundit...
8 Korrik 2008