Dosjet, duhen hapur?
Historia e hapjes së dosjeve të shërbimeve sekrete i ka fillimet në kohën e përmbysjes apo fillimit të përmbysjes së rregjimeve komuniste në rajon në 1989. Këtu kemi parë dy lloj zhvillimesh.
Ai që u zhvillua në Gjermani në lidhje me dosjet e Stasi-t, ish shërbimi i sigurimit të Gjermanisë Lindore.
Atje pati një vendosmëri të madhe për hapjen e dosjeve për t'i bërë ato të disponueshme për të gjithë ata që besonin se kanë qënë përndjekur, spiunuar dhe persekutuar.
Kjo u sqarua që prej fillimit, e ndjekur nga disa vende të tjera, por më vonë sidomos kur është fjala për vende si Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Do të prisnin deri në fund të viteve 90 dhe fillimit të vitit 2000, që ata ta mundësonin këtë gjë. Pra disa vende, si Gjermania, Republika Çeke i hapën dosjet shumë herët. Në vendet e tjera pati probleme, debate të gjata si edhe dyshime përsa i takon çështjes nëse kjo gjë ishte e këshillueshme.
Por edhe në vetë procesin e hapjes së dosjeve ka aspekte të ndryshme që lidhen me çështjen se çfarë mund të arrihet me hapjen e dosjeve?
Në disa raste, çështja ka të bëjë me faktin e të qënit të hapur, e bërjes së tyre aksesibile, transparente për ata persona që mund të kenë vuajtur dhe kanë të drejtë që t'i shohin ato. Aspekti tjetër është sekur zbulon që dikush ka punuar si agjent, a e heq atë prej detyre, apo e përdor këtë si një mënyrë për ta turpëruar publikisht. Kemi parë një qasje të pamishirshme në Republikën Çeke, ata kanë një ligj që u ndalon agjentëve dhe zyrtarëve të lartë të partisë komuniste që të mbajnë poste në adminstratën publike për disa vjet, gati deri në 10 vjet. Në vendet e tjera e tjera qëndrimi ka qënë i tillë: Le t'i hapim këto dosje, ne e dimë kush është filani dhe çfarë ka bërë, që më në fund ta lëmë këtë prapa e të ecim përpara.
A mund të thuhet se dallimi i qëndrimeve të mbajtura ka të bëjë edhe pozitat e vendeve, se dallimi në qasje është rajonal?
Unë nuk mendoj se është një ndryshim i madh përsa i takon qasjeve rajonale. Në Poloni për shembull zhvillimi i hapjes së dosjeve erdhi relativisht vonë. Përsa i takon grupit të zyrtarëve që mund të ndalohen që të marrin poste nëse kanë gënjyer në lidhje me të shkuarën e tyre, ky grup u zgjerua nga i vogël, siç qe në fillim të viteve 90, në një grup të madh ku përfshiheshin madje edhe kryeredaktorë të mediave, mësues etj. Kjo gjë ndryshua më vonë me ndryshimin e qeverive
Ajo që ndodh është se kur në pushtet vijnë qeveri me vijë të ashpër anti-komuniste, ato ka një tendencë për qasje më të fortë. Por kur vijnë qeveri ish komuniste apo liberale ato kanë tendencë të falin.
Diferenca rajonale qëndron në faktin që vendet e Evropës Qendrore filluan të marrin masa shumë më herët dhe i hodhën hapat në mënyrë më të qartë. Ndërsa në vendet e tjera si Rumania për shembull, edhe atëherë kur u hartua ligji për hapjen e dosjeve, u deshën pesë vjet që këto dosje të viheshin në dispozicion të publikut. Ajo që ndodh është një pasqyrë e kapacitetit administrativ, të nivele të ndryshme të administratës publike, qartësisë, efiçiencës, sesa qëndrimeve të ndryshme rajonale përsa i takon Evropës Qendrore dhe Juglindore.
A ka ndonjë lidhje mes synimeve dhe procesit për anëtarësim në Evropë dhe mbylljes së kësaj çështjeje që i takon së kaluarës?
Rusia është një prej shembujve ku çështja e dosjeve nuk është zgjidhur për arsyen e thjeshtë se zyrtarët e lartë në majën e hierarkisë politike, përfshirë kryeministrin Putin dhe shumë prej këshilltarëve të tij të afërt, kanë qënë oficerë të KGB-së apo informatorë të KGB-së.
Në një farë mënyrë shumë prej tyre ndihen krenarë për karierat e tyre dhe të kaluarën. Në vendet e tjera të Evropës Lindore (me përjashtim të Shqipërisë dhe Ish Jugosllavisë), që shiheshin si satelitë të Moskës, të ishe agjent apo informator i shërbimeve apo policisë sekrete shihej si një gjë e errët dhe dënohej.
Në përgjithësi nuk mund të bësh një dallim të qartë, që synimi apo anëtarësimi në Bashkimin Evropian kërkon masa apo veprime të veçanta përsa i takon arkivave të policisë sekrete.
Qartësia, transparenca, të qënit të hapur janë çështje të rëndësishme. Por se çfarë bën me ish agjentët është një çështje shumë e debatueshme për disa arsye. Arkivat nuk janë gjithnjë të sakta. Agjentët apo oficerët shpesh herë i ekzagjeronin arritjet e tyre. Për shembull thonin se kanë rekrutuar X, Y apo Z kur në fakt nuk e kishin bërë këtë, ose X, Y apo Z kishin dhënë informacione pa e ditur se ishin duke e bërë këtë.
Aryeja tjetër pse është e debatueshme është fakti se në disa raste informacioni është shumë selektiv. Pra disa kundërshtarë politikë do të mund të vendosen në një pozitë të pafavorshme, kurse të tjerët mund t'i shpëtojnë kësaj.
Në përgjithësi bazuar në faktin se si është përdorur informacioni, - pra sepse është keqinterpretuar dhe nuk ka qënë korrekt, - nuk mendoj se ka një kërkesë nga ana e BE-së , që ata që kanë punuar për shërbimet sekrete të përjashtohen nga poste publike apo të ndëshkohen në mënyra të ndryshme.
Nëse do të kishte një kërkesë, e thënë në mënyrë të përgjithshme, kjo pjesë e historisë dhe informacionet e lidhura me të duhet të jenë të hapura, të jenë në dispozicion të publikut dhe të trajtohen me ndershmëri për të gjithë ata që janë të interesuar.
*Analist i BBC