E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e pronave, gati 11 arrestime

PROKURORIA

Në hetim zyrtarët e komunave Dajt, Farkë, Petrelë. Falsifikonin certifikatën e pronësisë, ia kalonin pronën një të treti dhe më pastrualli nxirrej në shitje

TIRANË- Prokuroria e Tiranës gati flet- arrestet për 11 zyrtarë të komunave Dajt, Farkë e Petrelë, si dhe bashkëpunëtorët e tyre në zyrat e Përmbarimit dhe atyre të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në kryeqytet. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan për “Shekullin” se nga hetimet 6- mujore ka rezultuar se disa nga ish-kryetarët dhe kryetarët e komunave Dajt, Farkë e Petrelë kanë abuzuar me detyrën në bashkëpunim me zyrtarë të Përmbarimit dhe Hipotekës duke vjedhur, tjetërsuar dhe mbivendosur pronat e fshatarëve të këtyre zonave duke mos i ndarë pronat në bazë të ligjit 7051. “Pas arrestimit të zyrtarëve të komunës së Kasharit, qytetarë të ndryshëm të zonës së Farkës, Dajtit dhe Petrelës janë drejtuar në prokurori duke denoncuar vjedhjen dhe tjetërsimin e pronave të tyre nga zyrtarët e komunave ku banojmë. Me marrjen e këtyre denoncimeve, që nuk janë të pakët në numër, task-forca e prokurorisë së kryeqytetit ka nisur hetimet e rasteve dhe verifikimin e tyre në terren, ku ka gjetur të njëjtat metoda të vjedhjes së pronave si në rastin e komunës së Kasharit, të cilët për këto abuzime kanë përfunduar në Gjykatë ”,-thanë burimet e prokurorisë. Nga hetimet e kryera mësohetse zyrtarët e këtyre komunave falsifikonin certifikatën e pronësisë, me ndihmën e zyrtarëve të kadastrës së këtyre komunave dhe ia kalonin pronën një personi tjetër apo të afërmi të tyre. Më pas, trualli nxirrej në shitje dhe lekët ndaheshin mes kryetarit të komunës, përgjegjësit të kadastrës, punonjësve të hipotekës dhe pronarit “fiktiv”. Ndërkaq, pronari i vërtetë sipas ligjit 7051 nuk ka përfituar asgjë dhe ai është detyruar të drejtohet në prokurori apo gjykatë për zgjidhjen e çështjes. Sipas prokurorisë, kjo metodë e përfitimit të pronave, mësohet se është bërë në disa hektarë tokë që ndodhen në zonën e Dajtit, Farkës dhe Petrelës, ku zyrtarët e këtyre komunave i kanë vjedhur tokat pronarëve të vërtetë duke bashkëpunuar me drejtuesit e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në kryeqytet. Mësohet se në shumicën e pronave të tjetërsuara, janë ndërtuar banesa nga personat e tretë ose janë hapur biznese në rastet kur trualli ka qenë buzë rrugës. Mësohet se të gjitha këto prona të vjedhura janë regjistruar në Hipotekë me emrat pronarëve të rinj të cilët kanë përfituar në mënyrë fiktive nga abuzimete drejtuesve të këtyre komunave. Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se janë të përfshirë 11 persona, mes tyre drejtues komunash, ish-kryetarë e zyrtarë të ndryshëm të këtyre tre komunave, duke mos përjashtuar tek këto persona edhe drejtues të Hipotekës së kryeqytetit, pasi ka rezultuar se me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë kryer elementë të veprave penale të “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”; “shpërdorimit të detyrës”; “falsifikimit të dokumenteve zyrtare” dhe “falsifikimit të hartës së pronës dhe certifikatës së pronësisë” në bashkëpunim. Sipas këtyre burimeve, konfirmohet se organi i akuzës shumë shpejt pritet të urdhërojë policinë e shtetit që 11 personat e hetuar deri tani në gjendje të lirë t’i shoqërojë për në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe atyre të “Jordan Misja” e paraburgimit “Mine Peza”, ku janë të vendosur 16 të arrestuarit për abuzimet në komunën e Kasharit. Hetimet për këto abuzime me tokat, sipas prokurorisë, kanë nisur pas kallëzimit të dhjetëra fshatarë të këtyre komunave dhe në bazë të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Si regjistroheshin pronat pa dokumentin kadastral

TIRANË- Sipas hetimeve dhe verifikimeve të kallëzimeve, nga njësia hetimore Task-Forcë është konstatuar se zyrtarët e komunës së Dajtit, Petrelës dhe Farkës kanë regjistruar vendime të ish-Komisionit të Kthimit të Pronave Tiranë, në të cilat vërtetësia e pronës së pretenduar nga subjekti i shpronësuar nuk është mbështetur në dokumentin kadastral, i cili vërteton pronësinë para reformës agrare të vitit 1946. Por jo vetëm kaq, pasi në kallëzimet e fshatarëve të këtyre tre komunave është pretenduar dhe ka rezultuar se 11 zyrtarët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, kanë regjistruar prona në regjistrat e hipotekës me mbivendosje pasurie, veprim ky që është i paligjshëm. Gjithashtu mësohet se hetuesit kanë konstatuar raste, ku janë pajisur me certifikatë pronësie jo sipas aktit të marrjes së tokës në pronësi, por sipas sipërfaqeve që disponon pronari.

Shkeljet, 30 mijë m2 për çdo komunë

TIRANË- Burimet zyrtare nga organi i akuzës konfirmuan se pranë zyrës së Task-Forcës janë depozituar mbi dhjetëra denoncime, që përmbajnë akuza përmbivendosje pronash nga 500 metra katror deri në 1 dynym tokë për frymë, të cilat pretendohen nga pronarët. Një shpjegim më të thjeshtë të mekanizmit të vjedhjes që është bërë në rrethinat e Tiranës e japin hetuesit, të cilët thanë se “fjala vjen një familje ka arritur të përfitojë në mënyrë fiktive tokë për secilin pjesëtar të familjes sipas ligjit të ndarjes së pronave 7501, ndërkohë që, sipas kallëzimeve të depozituara dhe hetimeve të kryera ka rezultuar se kjo sipërfaqe është tjetërsuar padrejtësisht”. Mendohet se shkeljet arrijnë në mbi 30 mijë metra katrorë për një komunë. Mësohet se hapësirat të cilat janë mbivendosur, janë kryesisht kullota dhe se nën hetim janë vënë zyrtarë dhe ish-zyrtarë tëzyrëave të kadastrave dhe personat që kanë përfituar këto prona.

Precedenti

Kashar, të arrestuar tre krye-komunarë

TIRANË- Jo më larg se dy muaj më parë, oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët e çështjes pranë task-forcës në Prokurorinë e Tiranës, përfunduan hetimet lidhur me abuzimet e pronave në komunën e Kasharit, duke e dërguar dosjen për gjykim me 11 të pandehur, mes tyre ish-kryetarët komunës dhe zyrtarë të tjerë të kësaj zone në periferi të Tiranës. Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit prej më shumë se shtatë vitesh, kanë abuzuar me mbivendosjen e dhjetëra hektarëve tokë bujqësore dhe trojeve, duke shkaktuar miliona euro dëm. Uzurpimi masiv i tokave në këtë komunë ka filluar në vitin 2000, në kohën që kryetar komune ishte i pandehuri tjetër, Naim Karaj, ka vazhduar gjatë kohës së Faik Fejzos dhe është mbyllur në drejtimin e Alfred Sulajt, i cili u arrestua së bashkë me 15 personat e tjerë. Sipas kërkesës për gjykim, prokuroria ka dërguar në bankën e të pandehurve 16 shtetas, punonjës të komunës së Kasharit dhe të afërm të këtyre zyrtarëve, të cilët kanë përfituar rreth 18 hektarë tokë në mënyrë abuzive. Këto prona iu janë grabitur fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur në disa duar e mbi të cilat janë ngritur dhjetëra biznese, ndërtime të larta dhe shtëpi private. “Nga hetimet gjashtë mujore ka rezultuar se 16 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme por në mënyrë të njëjtë kanë tjetërsuar e përvetësuar rreth 178 mijë metra katror truall, të “grabitura” këto në 34 raste të ndryshme. Këto prona, në bazë të ligjit 7051 për kthimin dhe kompensimin e tyre i takonin fshatarëve të Kasharit”,-thuhet në kërkesën që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë. Sipas llogaritjeve të bëra, dëmi i shkaktuar nga korrupsioni në këtë komunë kap vlerën e 20 milionë eurove.

 

-------------------------------------------------------Në fshatrat përreth Tiranës, pothuajse të gjitha shit-blerjet e tokave kaluan nëpër duart e kryekomunarëve të cilët konkurruan për nga luksi bashkitë

Kryekomunarët që u sollën si kryeagallarët

Gjergj Erebara

Që prej gati dy vjetësh tashmë qe bërë e qartë se diçka po qarkullonte nëpër zyrat e kryekomunarëve përreth Tiranës. Sekserët e shit-blerjes së tokave qenë bërë më të ndrojtur e më të pakapshëm. Pak a shumë të gjithë banorët e zonës së Farkës, e kishin marrë vesh lajmin: Prokuroria po heton shit-blerjen e tokave e për rrjedhojë, të bësh ndonjë pazar në këtë kohë, është disi e rrezikshme. Dje, media mori një konfirmim informal nga prokuroria, se fletë-arrestet po firmosen e se brenda një jave, shumë zyrtarë, te të cilët janë varur gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, hallet e banorëve të zonës dhe shpresat për pasurim, mund të ndajnë qelinë e burgut me kolegët e tyre të komunës së Kasharit.

Skema

Përgjatë shumë viteve, komunat dhe komisionet e shpërndarjes së pronave në zonat rurale të vendit, kanë vepruar si një lloj zyre prodhimi dokumentesh pronësie. Tokat i ndaheshin fermerëve të zonës, apo njerëzve që në një mënyrë apo një tjetër, iu siguroheshin dokumente si ish-kooperativistë. Pas kësaj, toka shitej e blihej te të interesuarit. Duke qenë se i gjithë procesi kërkonte korruptim zyrtarësh të ndryshëm, kostoja rritej e për pasojë, rritej edhe çmimi i tokës. Në këtë mënyrë, zyrtarët e komunave u kthyen në autoritete që lejonin ose ndalonin blerjen e shitjen e një toke. Një lloj hinke që kufizoi sasinë e tokës së ofruar për shitje dhe rriti çmimet. Me pak fjalë, si pasojë e kuadrit ekzistues të përçartë ligjor, kryekomunarët u kthyen në bejlerë që caktonin se kush do të merrte tokë, kush do të ndërtonte e kush jo. Në disa raste, procedura të tilla ranë në konflikt me fshatarët, të cilët pretendonin pronësinë e tokave të zaptuara. Dhe disa vite më parë, kur komunat fituan të drejtën për të krijuar “polici komunare”, panorama e beut të fshatit u plotësua. Banorët e Kasharit ankoheshin se kryekomunarët e zonës i përdornin policët si roje personale. Një pafundësi denoncimesh janë dorëzuar në prokurori përgjatë viteve, por askush nuk i ka marrë seriozisht ato denoncime. Diçka tjetër duket se ka ndodhur.

Manipulimet

Hetimet e prokurorisë kanë për qëllim të zbardhin mbi 15 vite manipulime me leje ndërtimi, ndarje tokash me ligjin 7501 apo akte të tjera të paligjshme. Komunat përreth Tiranës tërhoqën vëmendjen e ndërtuesve, të cilët gjetën rastin për tokë më të lirë, procedura më të shpejta e perspektivë për rritje të shpejtë të vlerës së pronave të paluajtshme. Në pak vite, atje ku dikur kishte fushë, sot ka blloqe pallatesh. Shtresa e re e mesme e përbërë kryesisht nga politikanë e nga zyrtarë qeverie, ndërtoi vila rezidenciale në Dajt e në Kashar. Shumë nga qeveritarët e sotëm kanë parapëlqyer zonën e Farkës p.sh. Kjo komunë, dha mbi 300 leje ndërtimi në vitin 2006. Blloqe të reja banimi u krijuan pranë kopshtit zoologjik. Rrugët e fshatrave u shtruan etj. Apartamentet e reja filluan të marketizohen nga disa agjenci pronash të paluajtshme të krijuara gjatë viteve të fundit dhe që janë pranë qeverisë së sotme. Për pasojë, ambicjet e kryekomunarëve u rritën. Komuna e Farkës p.sh., ka në plan një fushë golfi, plazh buzë Erzenit etj. Komuna e Kasharit, bleu mobilje luksoze në vitin 2006, duke konkurruar për nga luksi edhe institucionet qendrore.

Vendime të ndryshme “planesh urbanizimi” krijuan një hinkë në ofertën për toka të lira, duke krijuar një rritje artificiale të çmimeve. Zona të tëra u shpallën “zona të gjelbra” dhe pronarët e tyre u ndaluan të ndërtonin, ose praktikisht u ndaluan të shisnin toka, sepse në këtë mënyrë konkurronin. Por papritur, biznesi i bollshëm i lejeve të ndërtimit e shit-blerjes së pronave u ndërpre. Në këtë ndërprerje lejesh ndërtimi, që i mbajtën çmimet të larta në zonë edhe sot e kësaj dite, pati një kontribut edhe kryeministri Sali Berisha. Në tetor të vitit 2007, kryetari i komunës së Kasharit, Fatbardh Plaku, njeriu që ka qeverisur komunën si përfaqësues i Partisë Demokratike që nga viti 1992, pati një debat me kryeministrin Berisha, në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit. Z. Berisha kritikoi kryetarin e komunës se ka dhënë leje ndërtimi me bollëk dhe se duhet të shpëtohet Farka nga betonizimi. Farka është një komunë që ka qindra hektarë tokë të lirë dhe se me një urbanizim me normat më të rrepta të mundshme, sërish mbetet plot hapësirë e gjelbër. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, se me fillimin e arrestimeve, procesi i dhënies së lejeve të ndërtimit për zonat përreth Tiranës, do të bllokohet edhe për muaj të tjerë, ndoshta edhe për vite dhe oferta për apartamente të reja do të mbetet shumë më e ulët sesa kërkesa. Por ndërkohë, është e sigurt se skandali i lejeve të ndërtimit e titujve të pronësisë në zonat përreth Tiranës, nuk përfundon te kryekomunarët. Qeveria qendrore rezulton bashkëpunëtore me kryekomunarët në shumë raste dhe në disa raste, edhe protektorë e veprimeve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›