Ndërtimi, kostoja arrin në 128.3 %
Ajo çka vërehet në raportin më të fundit të institutit të statistikave është pikërisht rritja në masë të madhe e kostos së ndërtimit në vend. Gjatë këtij 3-mujori kostoja arriti në 128.3 %, apo rreth 0.8 % më shumë se tre mujori paraardhës, dhe 3 % më shumë se viti 2007. Në masën më të madhe ka ndikuar rritja e çmimeve të lëndëve dhe para dhe rritja e shpenzimeve, si nga mungesa e energjisë elektrike ashtu edhe nga vështirësitë e tjera me të cilat përballet sektori i ndërtimit në vend. Raporti vë në dukje se një rritje të konsiderueshme kanë shënuar grupet: shpenzime direkte, materiale dhe shpenzime për paga etj.
Rritja e çmimeve probleme për kontratat
Rritja e çmimeve të lëndëve të para, por kryesisht hekurit dhe karburanteve rrezikon prishjen e kontratave infrastrukturore që ndërtuesit kanë me qeverinë. Shoqata e ndërtuesve prej disa muajsh ka ngritur shqetësimin, në lidhje me mosrealizimin e kontratave, dhe për këtë kërkon indeksim të çmimeve. Kryesia e shoqatës më të fuqishme të biznesit në Shqipëri bën të ditur se brenda 10 ditëve të para të muajit shtator do të ketë një vendim për vazhdimësinë e kontratave.
Shkëlqim Bumçi, drejtor ekzekutiv i SHNSH-së, i pyetur për ndikimin e këtyre lëndëve në kostot e ndërtimit të apartamenteve, u shpreh se nuk ka pasur probleme për çmimet. Sipas tij, ende problem për këtë treg ngelen lejet e ndërtimit.
Drejtues të kompanive të ndryshme që kanë nënshkruar kontrata me qeverinë dhe njësitë vendore shprehen se fitimi i tyre nga këto kontrata është bërë zero. Për shumë kompani të tjera, të cilat nuk kanë teknologji të reja, ekziston rreziku i daljes me humbje, dhe për të shmangur këtë do të ketë abuzime me cilësinë e punës.