Berisha: “Prioritet për 2009-n do të jetë ndërtimi i boshtit të Jugut”
Kryeministri Berisha tha dje gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive, se projekti tjetër prioritar në sistemin e planifikimit të integruar për vitin 2009 do të jetë ndërtimi i boshtit të JUugut, me financim nga buxheti i shtetit. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Transporteve hapjen menjëherë të tenderit për projektin e ndërtimit të boshtit të Jugut, duke theksuar se për këtë projekt nuk mund të priten financimet e partnerëve ndërkombëtarë, por do të financohet nga buxheti i shtetit. “Ne do të informojmë miqtë dhe partnerët tanë se ky projekt ka përparësi absolute dhe duhet ta realizojmë me fondet tona. Fondet e tjera të dhëna prej tyre do t’i përdorim sigurisht në projekte të tjera. I gjithë potenciali ynë në infrastrukturë duhet të përqendrohet në ndërtimin e këtij boshti, Tiranë - Berat – Tepelenë”, - u shpreh kryeministri. Kryeministri theksoi se fizibiliteti i këtij boshti është tërësisht i justifikuar, pasi në këtë zonë të vendit janë 3 pika kufitare, Qafëbotë, Kakavijë dhe Tri Urat, pika këto që përbëjnë një fluks të madh komunikimi me Greqinë, një nga partneret kryesore në Shqipërisë. Gjithashtu, kryeministri nënvizoi se për ndërtimin e këtij boshti do të zgjidhet distanca më e shkurtër Tiranë-Memaliaj dhe kjo direktivë duhet të zbatohet me shpejtësinë më të madhe.
30 Dhjetor 2008