E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton ligjin për Prokurorinë bashkë me propozimin e Shoqatës së Prokurorëve



Eljona Ballhysa
Dy partitë e mëdha miratuan gjatë seancës së djeshme parlamentare ligjin e ri për Prokurorinë. Drafti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT mori 116 vota pro. Gjatë diskutimit për çdo nen ligjvënësi mori në konsideratë propozimin e Shoqatës së Prokurorëve për të ndryshuar nenin 17 të projektit. Në bazë të mendimit, prokurorët që rezultojnë të pafajshëm me vendim të formës së prerë nga gjykata, mund të rikthehen në detyrën e mëparshme ose të përfitojnë dëmshpërblim financiar. Në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, deputeti Erion Braçe vlerësoi ligjin, ndërsa bëri të ditur se arsyeja që PS-ja dha konsensusin ishin ndryshimet që iu bënë variantit të parë, në përputhje me rekomandimet e misioneve ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri për sistemin e drejtësisë. Deputetët Petro Koçi e Gilman Bakalli votuan kundër ligjit për Prokurorinë, Paskal Milo nuk mori pjesë në votim, ndërsa Ben Blushi, Vangjel Dule, Ndue Shpani dhe Gjini abstenuan.
Qëndrimi
“Projektligji është i pranueshëm jo vetëm për PS-në, por edhe për grupet e tjera të interesit dhe sidomos për Shoqatën e Prokurorëve. Me këto ndryshime nuk ka përfituar ndonjë parti politike, as partia që është në pushtet. Projekti që prezantohet sot nuk është një ligj që përmbush interesat e PD-së. PS-ja nuk e ka dashur asnjëherë Prokurorinë si pjesë të saj, ne nuk kemi kërkuar ndonjëherë që Prokuroria të shërbejë si parti politike, por si institucion i pavarur profesional dhe efikas. Ne nuk duam prokurori për vete dhe as për PS-në, ashtu si nuk kemi dashur që gjykatat të jetë të pavarura nga partitë politike. Ne duam të respektohet deri në fund parimi i ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve”,- është shprehur Braçe në emër të PS-së. Edhe ministri i Drejtësisë, Alibeaj, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, vlerësoi ligjin “Për Prokurorinë” si një iniciativë reformuese, jetëgjatë e efikase në sistemin e drejtësisë. “Ne kemi arritur të gjejmë një mënyrë të bashkëvepruari dhe të ndërvepruari midis ekspertizës vendase, ekspertizës profesionale dhe ekspertizës së ftohtë që kanë sjellë asistentët ndërkombëtare. Kjo është një rrugë e mirë për të vazhduar edhe në të ardhmen me iniciativa të lira reformuese, për të sjellë ligje të standardeve e cilësive më të mira të gjithëpranuara nga të gjithë. Akti i fundit që do të duhet të bëhej është në Kuvend, i cili do t’i japë këtij ligji jo vetëm numrat e duhur, por edhe moralitetin për ta konsideruar ligjin si një iniciativë reformuese, jetëgjatë, efikase e cilësore”, - u shpreh Alibeaj.
Kundërshtimi
Deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend ironizoi konsensusin e dy partive të mëdha në miratimin e dy projektligjeve të rëndësishme, siç ishte ai për Kodin Zgjedhor dhe për Prokurorinë. Xhufi bëri të ditur se nga miratimi i këtyre projektligjeve i fituar del vetëm kryeministri Berisha. “Këto dy ligje, që kërkojnë shumicë të cilësuar, e kanë këtë shumicë të cilësuar, sepse si asnjëherë në këtë Parlament, këto dy projektligje do të miratohen si nga maxhoranca, ashtu edhe nga opozita. Dhe është një fakt që pas disa grindjeve dhe xhelozive të vogla, të cilat gati helmuan atmosferën e ditëve të fundit të marrëdhënieve midis maxhorancës dhe opozitës socialiste, më në fund është arritur një konsensus, ashtu siç parashikohej në fakt. Këtu, nuk kemi të bëjmë me asnjë risi dhe është gjetur paqja dhe lumturia në raportin midis këtyre dy segmenteve të Parlamentit shqiptar, janë të lumtur kolegët e të dy krahëve, por natyrisht i fituar është vetëm një krah, i fituar është vetëm kryeministri Berisha, i cili është ideatori, është arkitekti jo vetëm i Kodit Zgjedhor, jo vetëm i ligjit për Prokurorinë, por ka qenë ideator edhe arkitekt edhe i ndryshimeve kushtetuese”, - është shprehur Xhufi.

Shoqata e Prokurorëve përshëndet miratimin nga Kuvendi të amendamentit të tyre

Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate për mediat, përshëndeti Kuvendin lidhur me miratimin e një prej kërkesave të saj për garantimin e të drejtave të prokurorëve për rikthimin në detyrë në rast se gjenden të pafajshëm nga gjykata. “Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë gjen rastin të falënderojë Kuvendin lidhur me miratimin në seancë plenare të kërkesës që kishte të bënte me një ndryshim në ligjin për Prokurorinë. Me këtë ndryshim, tashmë prokurorit i garantohet me ligj kthimi në detyrë në rastet kur gjykata çmon se largimi nga detyra ka qenë i pabazuar në ligj”, - thuhet në deklaratën e kësaj shoqate. “Ky ndryshim ligjor përbën arritjen e një standardi më të lartë në drejtim të qëndrueshmërisë në detyrë të prokurorëve dhe për pasojë ne respektimin më të mirë të parimit të pavarësisë së Prokurorisë”, -thuhet gjithashtu në këtë deklaratë.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›