E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet e persekutorve tanë

Dosje, dosje, dosje! Të hapen apo të mbyllen! Kush dëmtohet më shumë? Shqipëria apo politika shqiptare? Pyetje që çdo ditë, çdo lexues i shtypit të përditshëm apo një shikues i vëmendshëm i edicioneve të lajmeve në TV i bën vetes. Faqe të tëra gazetash dhe orë të tëra televizive okupojnë jetën tonë të përditshme mbi këtë fakt. Dhe si përfundim? E shprehu edhe një herë ish-shefi i Shërbimit Sekret Shqiptar, zoti Klosi kur, në një emision të disa javëve më përpara, deklaroi se pjesa më e madhe e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij janë asgjësuar, që në gjuhen popullore do të thotë se janë zhdukur. Atëherë për çfarë po flasim ne? Për çfarë pastërtie po predikojmë kur zyrtarisht thuhet se dosjet janë zhdukur? Dhe kjo deklarohet në një emision shumë të ndjekur nga teleshikuesi shqiptar. Verifikimi i figurës së politikanëve dhe atyre që bëjnë pjesë në administratën shtetërore është pa dyshim detyrë e çdo qeverie. Njerëzit duhet të dinë se ku dhe kush i merr dhe i harxhon kontributet e tyre. Është e natyrshme që në qeverisje, Parlament dhe në administratën shtetërore nuk duhet të bëjnë pjesë persona që në një mënyrë apo në një tjetër kanë qenë bashkëpunëtorë të një sistemi që bëri një nga gjenocidet më të pashembullta në historinë e Evropës moderne dhe që ishte gjenocidi brenda për brenda popullit të vet, për të vetmen arsye se politikisht nuk mendonte si mendonte udhëheqja komuniste. Ne këta bashkëpunëtorë hyjnë edhe ish-spiunët e Sigurimit famëkeq të Shtetit. Por ajo që çka unë po vërej në këto kohët e fundit është se ata që pollën këtë farë të keqe as nuk mendohet që të dënohen. Çdo ditë shoh në TV, nëpër rrugë apo në zyra shtetërore ish-punonjës të asaj kohe, gjykatës, prokurorë, hetues, punonjës policie apo ish-sekretarë apo anëtarë të ish asaj partie famëkeqe që punojnë pa iu hyrë ferr në këmbë. Dhe në të njëjtën kohë ata të cilët kaluan nëpër kalvarin famëkeq të gjenocidit të cilën këta ish-a krijuan, enden zyrave, gjykatave dhe prokurorive në kërkim të ndonjë dokumenti apo të një vendi pune për të rifilluar dhe ata, si gjithë të tjerët, një jetë tjetër. Ndoshta mund t’ju duket absurditet, por unë njoh ish-bashkëvuajtës të mi apo ish-të internuar, të cilëve pushteti i gjenocidit u mori gjithçka kishin, që enden nëpër zyrat e bashkive apo hipotekave, zyrave të gjendjeve civile apo nëpër analet e departamenteve të drejtësisë për të kërkuar dokumente të ndryshme dhe si për çudi përballen me të njëjtët persona të administratës, me të cilët ishin përballur shumë vite përpara, kur ata i dënonin apo i internonin. U sekuestronin pasuritë e tundshme dhe të patundshme dhe i dërgonin nëpër vendet ku do të kryenin dënimet pa asgjë. Njoh dhe përballem përditë me një gjykatës të sotëm, i cili lindi dhe u rrit në internim dhe me ardhjen e pluripartizmit të sotëm pati mundësinë të bëhet gjykatës në Tribunalin e Tiranës. Atje ai përballet pothuajse çdo ditë me vrasësin e prindërve të tij, të cilët patën fatin e keq të vdisnin në qelitë e burgut famëkeq 313, jo shume vite përpara, por në 1988. Vrasësi dhe torturuesi i prindërve të tij, ish-hetues në atë kohë, sot është gjykatës në Gjykatën e Lartë. Atëherë për çfarë hapje dosjesh po flasim?! Për hapjen e dosjeve për ata spiunë të rëndomtë të cilët i detyronin të firmosnin për bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit apo për hapje dosjesh për ata drejtues gjykatash, prokurorësh, hetuesish dhe punonjës të degëve të punëve të brendshme, të cilët vranë dhe prenë, burgosën dhe torturuan me mijëra e mijëra shqiptarë. Gabimi i vetëm i të cilëve ishte se nuk mendonin dhe përkrahnin mendimet e veprimet e llojit komunist. Ja pra. Ky është problemi. Fillimisht duhet të hapen dosjet e punës të këtyre personave. Them dosje pune, sepse të tillë persona kurrë nuk kanë pasur të bëjnë me dosje të Sigurimit, sepse ata vetëm i përdornin dhe i lexonin dosjet e sigurimit për të arrestuar, dënuar, burgosur e vrare mijërat e të persekutuarve shqiptarë. Është e natyrshme që edhe dosjet e spiunëve të hapen për të ditur çdo njeri nga ne se, nga kush e kemi pasur të keqen që mund të na ketë ndodhur, por imediate mendoj që të gjithë, dhe kur të them të gjithë pa përjashtim, nga ish-gjykatës, prokurorë, hetues, punonjës të degëve të brendshme, ministra, sekretarë partie, të hiqen nga postet që kanë, t’ju hiqen licencat e ushtrimit të punëve që ka të bëjë me profesionin që kanë ushtruar dhe të përballen përpara gjyqit të ndërgjegjes së popullit për krimet që kanë kryer. Të gjithë ne kemi të drejtë të rishkruajmë historinë dhe vuajtjet tona gjysmëshekullore. Për ne historia ka qenë e gënjeshtërt dhe ku jemi denigruar e penalizuar nga të tillë persona që i shërbyen me zell regjimit famëkeq të Hoxhës. Por bota vërtet është e rrumbullakët dhe sot vjen një ditë që të jemi ne të rishkruajmë këtë histori dhe të tregojmë me emra dhe t’i dënojmë ata kriminelë që sot mbajnë poste drejtuese në atë që paguhet nga lekët tona, në administratën shtetërore. Ka ardhur koha që ne të shkruajmë për perversitetet që këta personazhe që paguhen nga kontributet tona, kanë bërë ndaj shtresës sonë të persekutuar. Perversitete dhe pisllëqe nga ku përfituan edhe fëmijët e tyre, ndoshta edhe në vlera monetare dhe që sot ndodhen shumë hapa përpara ekonomikisht nga ne, sepse na i morën dhe konfiskuan të gjitha dhe tani kanë bërë prokopi me paratë e padhëna tonat.

Ja pra. Kjo është hapja e drejte ë dosjeve. Më vonë le të vijmë në hapjen e të gjitha dosjeve sekrete.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›