E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i një historie të lavdëruar

Të nderuar dhe të respektuar lexues! Shkrimin tim të radhës do më duhet ta ndërlidh me një mik timin, i cili kohëve të fundit ballafaqohet me një problem mjaft serioz me mendjen, respektivisht me rradaken e tij. Komunikimin gojor e ka paksa të “ndotur”.

Dhe nëse i thua që mos ta bastardojë fjalorin, ta kthen: “Nuk e bëj muhabetin nëse nuk shahem”! Në parim ka të “drejtë” pasi që kjo dynja me të vërtetë është kurdisur me marre (turp) dhe me sharje. Thonë se kur Adami e kishte takuar Evën e kishte sharë, dhe kjo e fundit kishte ngelur pak shtatzënë, ashtu siç sot gjithë ditën e Perëndisë politika e një shteti ballkanas që parapëlqen të jetë një vend biblik, ka ngelur e tillë, një politikë që nuk i mundësohet as të abortojë, po as të integrohet në strukturat euro-atlantike. Është një familje politike që me askënd nuk bën komshillëk pos me vëllain e madh. Është një politikë që në vazhdimësi ballafaqohet me telashe serioze me shtetet fqinje, në aspekt të emrit, gjuhës, retrospektivës, kishës dhe identitetit politik dhe nacional.

Për t’i zbutur këto defekte, kjo politikë, në vazhdimësi do t’i përfshijë edhe partitë politike shqiptare, duke u ofruar premtime të rreme me të vetmin qëllim për të kërkuar dhe gjetur përkrahës në tejkalimin e krizës nga njëra anë, dhe nga tjetër, për t’i ngatërruar ata si të tillë. Duke u gjendur dhe duke u ballafaquar me vorbullën e telasheve dhe derteve, kjo politikë, do t’i kontrabandojë, denigrojë dhe do t’i asgjësojë edhe ato pak vlera të huazuara që i ka. Me një katrahurë të tillë në dhjetëvjetëshin e fundit do të ndeshet edhe një parti politike shqiptare e cila, pas mëvetësimit të shtetit të Shkupit, konsiderohet si më e vjetra në një mëhallë të gadishullit ilirik. Para se të hetoj opinionet e mia karshi kësaj katrahure, do të doja që ky shkrim të jetë i paredaktuar, i palekturuar, më i papërfillshëm dhe më pak i lexuar, tek e fundit do të doja që ky shkrim “… thjesht të jetë një prostituim mediatik i mendimeve të mia personale”. E them këtë, sepse dua të jem korrekt deri në fund në kërkim të një shpjegimi të vërtetë kundrejt retrospektivës dhe fundit të partisë në fjalë.

Do të më duhet të them se kjo ishte një parti politike që u formua në kohën kur ende nuk ishin pastruar mbeturinat e njëmendësisë sllave, në kohën kur kishte pak njerëz që u solidarizuan me ideatorin e këtij evenimenti, me ndërtuesin e një filozofie krejt tjetërfare politike, së paku në nënqiellin e avllisë këtej Shqipërisë politike. Se a ishte ajo parti politike apo lëvizje popullore ka pak rendësi. Me rendësi është fakti se kjo lëvizje popullore ishte “një trup politik me një moshë të shëndoshë që sot nuk meriton të ngelë edhe pa kokë”! Kokën kësaj partie mund t’ia marrin vetëm ata që e themeluan, vetëm ata që e mbështetën si politikisht, materialisht dhe moralisht. Dhe kjo në zgjedhjet e parakohshme parlamentare u trondit me një disfatë trishtuese dhe po aq të “turpshme dhe të dhembshme” me asnjë mandat kundrejt partive politike turke dhe rome me s’di sa të tilla mandate.

Ishte një luhatje dhe rrënim i ekuilibrit politik si rezultat i trashëgimisë së anarkisë së mendimeve të përziera, të përçara, joserioze, fyese, degraduese, frenuese, apolitike… dhe e prapësisë të të gjithë atyre që në të kërkonin strehë jo aq politike sa materiale, një strehë karriere të njerëzve që donin të shpëtonin lëkurën e tyre duke rrjepur lëkurën e partisë, të njerëzve që i shërbyen dufit për ta lënë partinë në mëshirën e zeqateve të ca biznesmenëve shqiptarë. Dhe në fund, disa prej tyre lëre që hiç nuk u ngashëruan, por edhe ia treguan partisë prapanicën e tyre të dhjamosur për të mos thënë të leckosur. Të atyre që asnjëherë nuk bënë përpjekje që asaj partie t’i ofrojnë së paku një të vetmen alternativë programore në tejkalimin e krizës përbrenda institucionit në fjalë.

Ishin “politikanë” vetëndëshkues, mendjevrarë, dhe megalomanë të cilët në kontinuitet nga partia do t’i përjashtojnë ish-të përndjekurit dhe ish-të dënuarit politikë, me motivacion se ata paskëshin qenë “marksistë leninistë”, mandej bartës të një mentaliteti negativ dhe të një provincializmi katundaresk. Këto eliminime do të bëhen për “hatër” të Kiro Gligorovit, Ljubomir Danailov Frçkovskit dhe të tjerëve të tillë si ata. Ndoshta ata që merren me analiza politike nuk duan që t’i legjitimojnë këto gjymtime, jo pse nuk e kanë teserën, por pse nuk duan që edhe më shumë ta ngarkojnë hidhërimin. Megjithatë do thonë se e gjithë kjo ishte shprehje e mungesës së pragmatizmit dhe në instancë të fundit të një pornokracie të filozofisë dhe të të menduarit makiavelist. Këto gjymtime, fillimisht do të hetohen në strukturat më të larta të partisë në fjalë. Kjo disfatë e menjëhershme nuk do të thotë shkapërderdhje e trupit zgjedhor, elektoratit apo simpatizantëve të saj, përkundrazi, do të ishte një papërgjegjësi kolektive e të gjithë atyre që atë parti politike e konsideronin si një stacion të furgonave që bartin udhëtarë për në “sobranjen” dhe tregun e gjelbër të B… Pazarit të anës së majtë të Vardarit.

Për ta përfunduar këtë shkrim, do më duhet t’i referohem paragrafit të mësipërpërmendur. Kjo parti politike nuk u kurdis me marre, që të përfundojë me sharje dhe me abortim në ambulancat private të Tetovës. Mendimtari grek Herodoti në veprën e tij të njohur “Historia” rrëfen se “persianët për çdo çështje të rëndësishme kanë diskutuar dy herë… në gjendje esëll dhe në gjendje të dehur”. Si duket, ata që e firmosën falimentimin e partisë së parë shqiptare të kishin “menduar” ashtu tapë dhe dërrasë. P. S.

Një proverb popullor thotë:” Të jesh i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohesh në të folur”.

*Kosova Press

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›