E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet, si mundësi e PD-së për të marrë pushtetin

Ndryshimet në qeveri kanë kohë që përfliten. Pas muaj të gjitha thashethemeve e abuzimeve të mediave dhe politikës, tani këto ndryshime mund të konsiderohen si domosdoshmëri. Them domosdoshmëri nëse këto ndryshime do të ndjekin rrjedhën logjike, që pa dyshim do të ishte një formatim i pushtetit ekzekutiv sipas vlerave reale politike të anëtarëve të koalicionit. E thënë me pak fjalë, një qeverisje e PD-së me aleatët dhe jo një qeverisje e aleatëve me PD-në. Nëse ndryshimet do të motivoheshin nga ideja për të kthyer në qeveri republikanët e z. Mediu, ato do të ishin sa të pavlefshme aq edhe të dëmshme në planin politik e elektoral për partinë që është mandatuar për të ushtruar pushtetin, PD-në.

Gjithkush mund ta konstatojë koston e madhe politike e elektorale që PD-ja ka marrë nga ndarja e padrejtë dhe e pandershme e pushtetit të saj me të ashtuquajturit aleatë. Pothuaj të gjitha skandalet e korrupsionit apo të shpërdorimit të pushtetit në këto vite të qeverisjes së zotit Berisha mbajnë autorësinë e zyrtarëve të lartë që vijnë nga partitë e koalicionit, ku mbi të gjithë spikat “Gërdeci” i zotit Mediu. Mirëpo ndërsa korrupsioni dhe shpërdorimi i pushtetit e dëmtojnë PD-në në aspektin elektoral e publik, ndarja e padrejtë e tij po i shkakton asaj një hemorragji të brendshme shumë të rrezikshme, sidomos për zgjedhjet e ardhshme. Dhurimi i ministrive kryesore si arsimi, shëndetësia e deri para pak kohëve edhe atë të mbrojtjes aleatëve, ka bërë që administrata e këtyre sektorëve jetikë të transformohen në lista anëtarësie të partive respektive. Kjo gjë ka ndikuar jo vetëm në cilësinë intelektuale e profesionale të këtyre administratave, por edhe në një përjashtim të burimeve njerëzore e vlerave intelektuale e profesionale të partisë që është mandatuar të qeverisë vendin. Natyrisht që një nga arsyet që elektorati shqiptar i besoi PD-së qeverisjen ishte pa dyshim kapaciteti i saj intelektual e profesional i prezantuar nga përfaqësuesit politikë dhe stafet elektorale, që arritën të siguronin besimin e elektoratit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Mirëpo pikërisht kjo pikë e fortë e fitores së zgjedhjeve të 2005-s u injorua e u shpërdorua në mënyrën më të papërgjegjshme momentin e ushtrimit të pushtetit. Mund ta bëni vetë diferencën midis kapaciteteve të një partie që mezi arrin të marrë 5 mijë vota me ndihmën e PD-së dhe një partie që numëron dhjetëra mijëra anëtarë. Për të konkretizuar këtë deformim të shëmtuar të vullnetit të elektoratit, po sjell në vëmendjen tuaj vetë një moment. Fitorja e PD-së në zonën e Kombinatit në Tiranë u konsideruar si një sukses në historinë e kësaj partie që për herë të pare arriti të fitojë bindshëm në një zonë të konsideruar si bastion e së majtës “Stalingradi i Tiranës”. Mos u befasoni ashtu si unë kur mora vesh se Fatmir Neza, kryetari i PD-së së Kombinatit, njeriu që realizoi më se shumti këtë fitore është i papunë, që do të thotë, jashtë çdo mundësie për të realizuar qoftë edhe një premtim nga ato që dha në emër të partisë që përfaqëson, në zgjedhjet e fundit parlamentare. A ka mundësi ky njeri të përballet sot me atë elektorat që i besoi votën tre vjet më parë?!

Si rasti që përmenda mund të ketë edhe të tjera, por që të gjitha kanë një arsye të përbashkët që kanë si motivim ndarjen e padrejtë dhe të pandershme të pushtetit nga PD-ja tek aleatët. Ka qenë pothuaj e pamundur që PD-ja të kontribuojë me kapacitetet e saj intelektuale në zonat e aleatëve, arsim shëndetësi e të tjera. Nga thashethemet duket se republikanët ia kanë vënë syrin një ministrie tjetër të rëndësishme e sidomos me shumë lekë, asaj të Ndërtimit dhe Punëve Publike, gjë që nëse do të realizohej, do të thoshte një dorëzim total i pushtetit ekzekutiv nga PD-ja. Shpresohet të jenë në kuadrin e fjalëve, pasi çdo veprim i tillë do të ishte politikisht i pamotivuar dhe totalisht i pajustifikuar nga lidershipi i PD-së. Nëse ndryshimet nuk do të kenë si qëllim rritjen e mundësive reale të PD-së për qeverisje, atëherë efekti i tyre mund të jetë një dështim, për të mos thëne një bumerang në perspektivën politike të PD-së.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›