Dosjet, maxhoranca konfirmon ligjin
BLEDAR HOTI
Reagimet e ndërkombëtarëve për ligjin e Dosjeve shkaktojnë debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës në Parlament. Seanca e djeshme u karakterizua me tensione dhe polemika, çka solli dhe ndërprerjen e dytë radhazi të punimeve parlamentare. Për më shumë se një orë, maxhoranca dhe opozita debatuan ashpër në lidhje me ligjin e Dosjeve. Socialistët i kërkuan PD-së që të tërheqë ligjin e Dosjeve, ndërsa maxhoranca nga ana tjetër ftoi opozitën për të marrë pjesën në Autoritetin e Verifikimit të Figurave. Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, deklaroi në Kuvend se “maxhoranca i mirëkupton shqetësimet e ndërkombëtarëve, por është e vendosur të zbatojë ligjin e “Lustracionit”. Ndërsa opozita nga ana e saj bëri thirrje për tërheqjen e ligjit, pasi është e vendosur që ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj deklaroi se “Opozita ka qenë dhe është e gatshme për hapjen e dosjeve, por për këtë duhet respektuar kërkesa e BE-së, që ka kërkuar konsensus politik për ligjin”. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Bumçi, ka akuzuar direkt kreun e PS-së për qëndrimin e mbajtur në lidhje me ligjin e Dosjeve. “E majta e sotme e Edi Ramës nuk i afrohet as të majtës së ’97, që ishte shumë më revanshiste. Në atë kohë, ajo megjithëse e deformoi dhe degradoi ligjin e Lustracionit të miratuar në vitin ‘95, të paktën sa për sy e faqe e la atë në fuqi. Por sot Edi Rama nuk e arrin dot as këtë standard. Ai është njeriu-fasadë që mbështjell në një ambalazh të ri një mesash të vjetër dhe antinjerëzor”, deklaroi Bumçi. Ndërsa zv.kryeministri Genc Pollo i kërkoi opozitës të marrë pjesë në komisionin që do të bëjë verifikimin e zyrtarëve. Por nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, ka bërë të qartë se ligji Lustracionit u miratua për t’i bërë presion gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak se po hetohen disa prej dosjeve të korrupsionit. “Çështja nuk është tek dosjet dhe e përsëris dhe një herë tjetër: ne jemi gati të hapim dosjet, pa asnjë lloj sikleti, me akses për çdo qytetar shqiptarë që kërkon të njihet me të shkuarën, por çështja është tek korrupsioni i kësaj qeverie”. Ndërsa debati më i ashpër është zhvilluar mes Braçes dhe Xhaferrit, në lidhje me videon e zv.ministrit. “Zv/Kryeministrit, në mungesë të Kryeministrit, do të doja t’i dhuroja këtë rrip, për ta lidhur zv/ministrin tuaj, që të mos bëjë të njëjtën gjë dhe herës tjetër”, deklaroi Braçe. Ndërsa demokrati Ferdinand Xhaferri deklaroi se “atë rripin që e nxori dhe e vendosi këtu dhe e mori stafi i Kuvendit, ta marrë dhe t’ia çojë kryetarit të tij. Zv.ministri i Shëndetësisë, në një festë private hoqi vetëm këmishën, kurse ai rripi mund t’i bëjë një punë kryetarit se mund ta përdorë për gjethe fiku, se ka dalë përpara shqiptarëve komplet lakuriq”, deklaroi Xhaferri.
Jozefina Topalli
“Ligji është për ata që janë sot në këtë sallë dhe për ata që do të jenë nesër. Ndërsa ju kërkoni që të futni problemet në shoqërinë shqiptare. Me këtë ligj nuk merremi me qytetarin e thjeshtë, ne nuk merremi me punonjësin e thjeshtë. Ne kërkojmë standarde vetëm për nivele më të larta, titullarë, deputetë, gjykatës, prokurorë që kanë vrarë dhe kanë tërhequr trupa zvarrë në qytetet kryesore, në Shkodër, në Sarandë gjer në vitin 1989. E imagjinoni çdo të thotë të marrësh në varr trupin e vdekur, si mund të qeshësh, a ke fëmijë ti?. Imagjino ti, një 16-vjeçar me e vrarë dhe trupin e tij me e marr zvarrë në gjithë qendrën e qytetit, je baba ti more, je prind more. Jo mor zotëri, këtu ndahemi ne me njëri-tjetrin”.
Astrit Patozi
“Gjithçka doni ta ktheni si në një ndeshje që ka mbaruar. Por tashëm ju keni humbur. Ne jemi të përcaktuar qartë si e djathtë, kemi votuar për hapjen e dosjeve, duke filluar verifikimin nga ne. Por ju keni frikë jo vetëm nga dosjet tuaja, por edhe mijëra fije që ju lidhin me regjimin. Ne ju ftojmë edhe një herë që bashkë me kryetarin tuaj çlirohuni, çlirohuni, dilni dhe kapërceni komplekset e vjetra, sepse Shqipërinë me Evropën nuk e ndan ligji i Lustracionit, me Evropën e ndan sidomos mos distancimi nga krimet kundër njerëzimit. Duam të pastrojmë fosilet e diktaturës. Deri tani kemi pranuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por nuk mund të pranojmë një vendim në konflikt interesi”.
Aldo Bumçi
“E majta e sotme e Edi Ramës nuk i afrohet as të majtës së ’97, që ishte shumë më revanshiste. Në atë kohë ajo megjithëse e deformoi dhe degradoi ligjin e Lustracionit të miratuar në vitin “95, të paktën sa për sy e faqe e la atë në fuqi. Por sot Edi Rama nuk e arrin dot as këtë standard. Ai është njeriu-fasadë që mbështjell në një ambalazh të ri një mesash të vjetër dhe antinjerëzor. Ligji i Lustracionit kërkon që ata që qeverisin këtë vend të emëruar dhe të zgjedhur të mos kenë lidhje me të kaluarën komuniste. Por dhe kaq është shumë për Edi Ramën dhe PS-në. Ata janë kundër këtij morali, edhe pas 18 vjetësh, kur e majta pretendon për një politikë të re, ajo nuk arrin dot të hedhë këtë hap minimal”.
Valentina Leskaj
“Së fundmi BE, por edhe SHBA dhe institucione të tjera ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjet e tyre për këtë ligj dhe kanë kërkuar konsensus politik. Jam e çuditur dhe e keqardhur, ajo që po bëni ju sot si maxhorancë është kundër kërkesës së BE-së, kundër asaj që kërkohet. Deklarata e djeshme e BE-së fillonte me kërkesën për konsensus politik dhe ajo që ju po bëni sot është kundër kësaj kërkese të BE-së. Ju po e fusni Parlamentin në krizë duke provokuar dhe fyer opozitën dhe duke mos u marrë me axhendën e vërtetë që ka Parlamenti. Ne kemi qenë, jemi dhe mbetemi për hapjen e të gjitha dosjeve, përfshirë dhe të atyre që janë në këtë sallë”.
Erjon Braçe
“Sekretari Terri Devis, deklaroi se ligji shkel të gjitha standardet e KE, është i papranueshëm dhe cenon rëndë institucionet dhe liritë e të drejtat e njeriut në Shqipëri, por përsëri Kryeministri juaj, në hall të madh e familjarë, doli e tha se Teri Devis kishte gjykuar gabim nisur nga përkthimi gabim i ligjit të Berishës nga sabotatorët në administratën e tij.
Kaq mjafton që BE dje t’ua rrëzojë ligjin për të mbrojtur hapur pavarësinë e gjyqësorit, por kësaj here një mëndjekuq, dje, pa njerëz pa mbështetës, pa parti, pa portofol ekzekutiv, por me thes, madje dhe në një karrige lëvizëse, vazhdoj po njësoj të refuzojë sugjerimet e perëndimorëve për të hequr dorë nga dhunimi i sistemit të drejtësisë”.
Pollo: Garantojmë zbatim korrekt
“Më lejoni që të deklaroj këtu se Qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji, që çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tre shkallët e gjykatave dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. Unë ftoj opozitën që të marrë pjesë në Autoritetin e Kontrollit të Figurës, që përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët 3 i takojnë opozitës”.
Balla: BE shuplakë “Berishës”
“Po ndalem në radhë të parë në deklaratën e Bashkimit Evropian lidhur me miratimin e ligjit antikushtetues për dosjet. Bashkimi Evropian i dha një shuplakë të rëndë Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe kësaj mazhorance, duke i kërkuar të heqin dorë nga këto sulme antikushtetuese, që cenojnë rëndë shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe që po sabotojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE”.
PDK: Qeveria të reflektojë
Partia Demokristiane reagoi dje ndaj kritikave të BE-së për ligjin e Dosjeve. Në një deklaratë për shtyp PDK-ja theksoi se dje "maxhoranca e djathtë qeverisëse duhet të lexojë me vëmendje dhe të reflektojë me gjakftohtësi dhe arsye ndaj deklaratave dhe kritikave të ardhura në adresë të saj nga institucionet evropiane, të rivendosë dialogun politik dhe frymën bashkëpunuese më të gjithë faktorin politik shqiptar për miratimin e ligjeve dhe kryerjen e reformave të rëndësishme".