E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Serbia, mjaft tensionoi rajonin

 

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka kërkuar dje autoriteteve serbe që të heqin dorë nga veprimet që ndikojnë në tensionimin e situatës në rajon. Sejdiu kërkoi nga Beogradi që të respektojë dhe garantojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Standardet ndërkombëtare që parashihen me konventat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejtat njerëzore, me të drejtat e komuniteteve, të jenë të respektuara edhe nga ana e Republikës së Serbisë. Nuk është e nevojshme që të krijohen situata që tensionojnë rajonin”, ka theksuar Presidenti Sejdiu gjatë një takimi me një delegacion të përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët informuan mbi situatën ku ndodhet popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës. Më pas, presidenti kosovar vlerësoi se “operacioni i policisë serbe, i cili rezultoi me arrestimin e dhjetëra shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ishte shqetësues për institucionet e Kosovës”, duke shprehur besimin e tij në pafajësinë e të arrestuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›