E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, dëmshpërblimet në mars

Autori i Lajmit: Edlira Mema
Odisea e gjatë e ish-të përndjekurive politikë në pritje të dëmshpërblimeve nga shteti duket se do të marrë fund vetëm në muajin mars. Të paktën kështu ka deklaruar dje, për gazetën Ballkan drejtori i Institutit të Integrimit të ish të-Përndjekurve Politikë, Simon Miraka.
Deklarata
Gjatë muajit mars do të nisin proceduarat e kompensimeve, të cilat përfishijnë një numër të madh të ish-të persekutuarve të regjimit komunist. Ligji nr.9831 i datës 12 nëntor 2007, i cili u dekretua nga Presidenti Bamir Topi, përcakton përfituesit, masat e kritereve dhe procedurat e përfitimit të dëmshpërblimeve financiare. Ata që do të përfitojnë nga ky ligj janë: ish të burgosurit politikë, që kanë vuajtur dënimin në mënyrë të padrejtë, të internuarit dhe të ekzekutuarit (ose familjarët e viktimave). Ligji parashikon se të gjithë ish të përndjekurit duhet t i takojnë periudhës 30.11.1944– 1.10.1991. Drejtori, Simon Miraka thekson se janë hasur vështirësi në gjetjen e dokumentacionit përkatës, që mund të vërtetojë vitet e qëndrimit të ish të burgosurve nëpër burgje. Ai shton më tej: “Ky ligj lë jashtë dëmshpërblimit të pushkatuarit pa gjyqe, të vrarët në luftë para viteve 1944. Familjarët e tyre nuk kanë marë asnjë kompensim, nuk dihet ende se ç`do të bëhet me ta”. Dëmshpërblimet që do u jepen ish të përndjekurve do jenë të ndarë, sipas kategorive. Ish të përndjekurit dhe të dënuarit politikë të periudhës 1945-1954 do të përfitojnë 2000 lekë të reja për çdo ditë burgu. Ndërsa, ata që kanë qenë të internuar ose të rrethuar në tela me gjemba nga viti 1944-1954, do të përfitojnë 1000 lekë të reja për çdo ditë të qëndrimit në burg, spitale psikiatrike, apo në hetuesi.
Reagimi i ish-të përndjekurve për bonot
Vetë ish-të përndjekurit politikë thonë se nuk janë të kënaqur me vlerësimin që i bëhet në treg letrave me vlerë. Ata presin një rritje të vlersimit të saj. Qeveria herë pas here ka parashtruar disa alternativa për realizimin e dëmshpërblimeve, qoftë me pjesëmarrjen në procesin e privatizimit të përndjekurve si aksioner, qoftë me dhënien e letrave me vlerë. Ky është aksesi i vetëm që mund t i jepet për momentin ish-të përndjekurve, pasa rikthimit nga Qeveria të rihyrjes në fuqi të bonove të privatizimit. Por, edhe pas bujës që mori ky lajm, vetë ata që duhet të ishin të parët që do të përfitojnë, janë ende skeptikë, ndërsa në treg vlera e këtyre është vetëm 6 deri 7 për qind. Ndërkohë, dyert e Ministrisë së Drejtësisë do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura deri në datën 31 dhjetor 2008 për të pritur kërkesat. Ky institucion ka për detyrë të presë të ish- përndjekurit politikë deri në ditën e fundit. Ata duhet të depozitojnë dosjet e tyre me dokumentet origjinale, gjithashtu të vërtetojnë që janë ndëshkuar nga sistemi komunist gjatë atyre viteve. Kështu, që ish-të përndjekurve nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të presin muajin mars.

Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›